Anton Quni rrëfen se me çka u përball një ditë kur shkoi në QKUK
Deputetii Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë një rrëfim më të gjatë se herave të tjera në rrjetin social facebook.
Ai ka treguar në detaje se me çka u përball në QKUK, kur një mik i tij ia kërkoi që të ndërhynte tek personeli mjekësorë për një trajtim më të mirë të një familjari.
Më poshtë mund ta lexoni pa ndërhyrje shkrimin e deputetit Quni:
Një jetë është më e rëndësishme se një km asfalt zotërinj!
“Para disa diteve, në orët e vona, një mik i imi me shqetësim kërkoj që me autoritetin tim të ndërhyj tek personeli mjekësor në QKUK që të përkushtohën më shumë në trajtimine e një familjari të tij. Ishte i bindur se mjekët po e neglizhonin rastin përkunder asaj se i sëmuri ishte në rrezik për jetën.
I premtova se që të nesërmen do ta vizitoj personalisht dhe do të shohim se si mund ta përmirësojmë gjendjen për të mire. Vlerësimin se mjekët nuk po tregonin kujdes e mora me rezervë, gjithmonë duke u nisur nga fakti se edhe ata jan pjesë e shoqërisë me të gjitha të mirat dhe të këqijat që i kemi.
Të nesërmen arrita në ambientet e QKUK-së duke u ballafaquar me vështirësitë e para për të gjetur vend parkim të lirë. Në mungesë të tabelave informuese, punëtorët e mirëmbajtjes më udhëzonin si të arrij deri tek reparti. Në trotuare vura re tezgat ku shiten gjësende të ndryshme, artikuj të ekspozuar para shitoreve dhe disa lokale me tenda për duhanpirësit. Barnatoret aty pari ishin të stërmbushura me klient. Aty afër dëgjoheshin punimet nga një objekt në ndërtim e sipër pa masat minimale të sigurisë.
Arrijë deri tek hapësira e ashensorëve ku nga tre ashensor vetëm njëri punonte, por duhej pritur goxha kohë deri sa ai të arrinte deri në katin perdhesë. I njëjti ashensor shërbente për pacientët, personeli mjeksorë, vizitorët dhe mirëmbajtësit. Me ndihmën e disa të rinjëve një mirëmbajtës arriti të fut në ashensor një makineri pastrimi me peshë shumë të rënd, vetëm do ta kishte të pamundur sepse niveli mes ashensorit dhe koridorit ishte gati sa një shkallare. Në ashensor edhe pse me ndriqim të dobët vëreheshin grafitet me motive të ndryshme dashurie, politike, sportive, etj. Ca njolla në dyshemenë dhe muret e ashensorit për të cilay nuk kuptohej në ishin gjak, jod, qelbazë…apo të gjitha së bashku.
Për fat, bashkudhëtarët e ashensorit nuk më njohën dhe shpëtova nga ndonjë kritikë-të gjithë ishin të zhytur në mendimet me brengat e veta.
Arrijë në hyrje të repartit dhe po sa hapi derën i takoj pesë apo gjashtë familjar të mikut tim. Më informojnë shkurt dhe e kuptoj se shpresat që i sëmuari të mbijetoj janë të vogla. Në sytë e tyre vërej dhimbjen dhe frigën për familjarin e tyre. Kërkoj që së pari të shoh të sëmuarin e pastaj të bisedoj me ndonjë mjek. Hymë në koridorin e repartit i cili është përplot me njerëz: pacienta, vizitor, pastrues, personel mjekësor, sigurim fizik, etj. Arrijmë deri tek dhoma dhe aty takoj edhe tre apo katër familjar. O Zot, pyes vetën pse kaq shumë familjar kur është e ditur se prezenca e tyre kaq e madhe vetëm çka e pengon punën në repart.
Në një dhomë te vogel, me ajër të rënduar, janë katër pacienta me nga një familjar. Dhoma ishte pa nyje sanitare, dollap apo ndonjë orendi. Në një kënd është edhe familjari i mikut tim, i shtrirë pa vetëdije, me frymëmarrje të thellë, i vendosur në oksigjen dhe terapi. Në vlerësim të parë më dukej se minutat e ndanin nga vdekja. Dal në koridor dhe pyes si quhet mjeku përgjegjës por askush nuk e dinte emrin e tij përveq se më drejtuan tek ai në fund të koridorit. Prita që mjeku të perfundon bisedën në celular dhe me mirësjellje iu prezentova dhe kërkova që të mesoj për gjendjen e pacientit. Pa çka se i njëjti nuk u prezentua, me durim dhe gjuhë të kuptueshme më njoftoi për masat që janë ndërmarrë dhe varësisht nga rezultatet dhe gjendja çfarë planifikojnë të ndërmarrin. Bisedës iu bashkua edhe mjekja që si duket ishte më përgjegjëse në repart duke e rikonfirmuar vlerësimin e kolegut të saj por me më shumë detalje. E kuptova se mjeket nuk kishin arritur të përcaktonin diagnozën e saktë por janë duke i ndjekur procedurat dhe protokollet për raste të tilla. Vështirësi shtesë ishte edhe mungesa e një aparature e cila do të ndihmonte në percaktimin e diagnozës, por që një aparaturë të tillë e posedojnë vetëm klinikat në Shkup dhe Tiranë. Në pytjen time se a kanë kontakte me kliniken e Tiranës për t’u siguruar që pacienti do të mund të trajtohet, përgjegjja ishte jo. Po ashtu mësova se QKUK-ja nuk siguron autoambulancë për transport jashtë vendit. I falendërova mjekët për angazhimin dhe njoftimin me bindjen se ata po bënin maksimumin nga ana e tyre njerëzore dhe profesionale, por që situata varej edhe nga faktori i teknikës dhe menaxhimit.
Duke u larguar nga reparti takova edhe mjekët që para një viti ishin përkujdesur për shëndetin e prindit tim, që të gjithë njerëz të mirë dhe profesional por shumë të kushtëzuar nga teknika, paisjet, hapësira, medikamentet, burokracia, etj.
Para ashensorëve edhe një herë takohem me familjarët të cilët tani më vendosën që të organizonin transportin e të sëmurit për Tiranë.
Aty për aty i ndanë detyrat, i pari siguron autoambulantën, i dyti blen medikamentet, i treti sjell analizat nga një laborator privat, i katërti kontakton klinikën në Tiranë, i pesti qëndron tek i sëmuri, e kështu me radhë. Edhe unë bindem se për një të sëmurë duhen shumë familjar në përkujdesje. Por do të doja që në atë ndarje të detyrave brenda familjes të ishin prezent menaxhmenti i QKUK-së dhe zyrtarët e Ministrise së Shëndetësisë që të mësojnë se si familjarët me urtësi luftojnë për jetën e të dashurit të tyre.
Ndahem nga familjaret me lutjet dhe deshirat që sa më shpejt të marrim lajme të mira pasi që i sëmuri të trajtohet në Tiranë.
Nisem për tek vetura dhe rrugës ndeshem me disa të rinjë në uniforma të bardha të cilët me siguri bëjnë orë praktike në QKUK. Të qeshurat dhe entuziazmi i tyre sa do pak e thyen at imazhin e zymtë brenda QKUK-së.
Pas gjysëm ore takohem me një bashkluftëtar dhe deri sa po i tregoja për përjetimet e mija në QKUK , nga miku im më vjen njoftimi se familjari i tij vdiq. Janë momente kur fjalët të mbesin në fyt dhe përkundër dëshirës që sa do pak ta ngushëlloj nuk i gjej fjalët e duhura.
Kush do ta bind mikun tim se ne që ndërtuam aq kilometra autostrada, e shpallëm formimin e ushtrise, i vumë taksen 100% Serbisë dhe garojmë se cili i pari e dha idenë, e shumë suksese të tjera, nuk ishim në gjendje të siguronim një aparaturë më të thjeshten.
A nuk do te duhej te ishte prioritet i yni shëndeti, shërimi i plagëve, trajtimi i sëmundjeve, rehabilitimi?!
Ne gjithë ketë zymtesi, në kokë me kumbojnë të qeshurat e të rinjëve që po praktikonin për mjek, ndoshta ata do të arrijnë që me politikat e mira në shëndetësi dhe menaxhimi i mirë në institucionet shëndetësore, së paku të na sigurojnë një trajtim më njerëzor, tek e fundit një vdekje me dinjitet”. /FaktePlus