Angli-Danimarkë: Fillojnë pakënaqësit, dy topa brenda fushës dhe kontakt minimal për penallti
Gjatë mbrëmjes së djeshme në kuadër të Kampionatit Europian u zhvillua gjysmëfinalja e dytë mes skuadrës së Anglisë dhe Danimarkës, ku fitimtare doli Anglia me rezultat 2:1.
Loja u nis me super aksione qysh në fillim të ndeshjes ku e para që shënoi ishte Danimarka me golin spektakolar të Mikkel Damsgaard.
Nuk vonoi shumë dhe skuadra angleze barazoi gjithçka në pjesë të parë me autogolin e kapitenit danez Simon Kjae. Në pjesën e dytë loja mbeti me rezultat të njëjtë 1:1, duke e bërë kështu lojën të shkojë në vazhdime, raporton FaktePlus.
Në vazhdime, pas lojës intensive nga të dyja skuadrat që kërkonin finalen e madhe, një penallti e fituar nga Raheem Sterlingu, ia mundësoi Anglisë epërsinë prej 2:1.
Sterling u fut në mbrojtjen e Danimarkës dhe u rrëzua në zonën e penalltisë, pas një kontakti minimal, dhe gjyqtari dha shenjë për ekzekutimin e penalltisë.
Kjo penallti krijoi shumë polemika, jo vetëm për kontaktin minimal por edhe për faktin se në fushë ishin dy topa para se penalltia të akordohej, prandaj ndeshja është dashur të ndërpritej paraprakisht.
Vendimi i gjyqtarit Danny Makkelie u kontrollua nga gjyqtarët e tjerë në dhomën e VAR-it, por asgjë nuk ndryshoi dhe, edhe pse Kasper Schmeichel e mbrojti penalltinë e Harry Kane, kapiteni i anglezëve shënoi nga topi i kthyer për t’i dërguar tre luanët në finalen e së dielës në Wembley.
Kasper Schmeichel u pengua me laser gjatë penalltisë së Kane