Anëtari i PDK-së pro Qeverisë Kurti
Anëtari i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se është pro krijimit të qeverisë në krye me Albin Kurtin.
Ai ka thënë se PDK-ja e ka mbështetur qysh nga fillimi krijimin e qeverisë së re, derisa ka thënë se koha e gjatë që ka kaluar nga shpallja e zgjedhjeve e ka zbehur Albin Kurtin.
“Dëshira dhe qëndrimi im dhe i joni [PDK-së] është që qeveria të bëhej. Sikur të ishte bërë në ato ditë kur të gjithë ishim të fokusuar se po bëhet një qeveri, siç pretendohej e ndryshimit, ne deklaruam se do ta përkrahim dhe do ta votojmë nëse ka ngërç për vota”.
“Koha e pritjes së gjatë e këtyre bisedimeve e zvogëloi dhe e zbehu Albin Kurtin nga lideri i shpresave të mëdha në një person, që edhe nëse bëhet kryeministër, nuk është më ai kryeministri i pritjeve të para”.
“Nga ajo kauza e ndryshimit të madh dhe e shpresës e ktheu në një kauzë karrigesh. Unë jam pro qeverisë, që të bëhet qeveria – dhe do ta mbështesim bërjen e saj”.
“Deklaratat e para bombastike kanë qenë që ‘programin e kemi harmonizuar dhe na duhen vetëm 48 orë që ta përfundojmë këtë punë’.
Berisha në Klan Kosova ka thënë se ka pandershmëri politike në bisedimet mes dy partive.
“E kam thënë qysh nga përfundimi i zgjedhjeve se ka pandershmëri në negocimin mes dy partive politike – është kodi i pandershmërisë politike”.
“Kanë deklaruar se e kanë të harmonizuar programin 100 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër Dhomave të Specializuara, ashtu si edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.
“LDK-ja ka qenë pro të dyjave. A mund ta dimë se cila ka lëvizur nga qëndrimet dhe çfarë do të bëjnë tani? Po i përmend këto tema, sepse i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi në takimet që ka pasë ua ka treguar detyrat e para me të cilat do të përballen”.
“A do të jenë në gjendje që t’i përmbushin këto? Unë nuk po e shoh më si arsye lëvizjen teknike të karrigeve, por detyrat me të cilat do të përballen menjëherë. Nuk e kanë më kurajon të përballen me vendime kaq të vështira. Është vështirë të merret përgjegjësi për çështjet që kanë karakter historik dhe politik për vendin e për të cilat duhet të kesh kredi”.