Anëtari i AAK-së: Nuk bahet nami nëse VV’ja i humbë tre deputetë
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj ka thënë për Periskopin se nuk është në rregull që një subjekt politik të nxirret nga Kuvendi me vota të paligjshme, ashtu siç mund t’i ndodhë NISMËS, nëse Gjykata Supreme i përgjigjet pozitivisht Vetëvendosjes në ankesën që ata kanë bërë për vendimin e fundit të PZAP-it, ku kërkohet anulimi i votave të ardhura nga Serbia.
I pyetur për ankesën që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë sot në Gjykatën Supreme në lidhje me vendimin e PZAP-it, për anulimin e votave të jashtëligjshme të ardhura nga Serbia, ai tha se nuk bëhet nami nëse Vetëvendosje do t’i humbë tre deputet.
Sipas Selamanajt, vendimi i PZAP-it është në rregull, dhe nëse nuk përdoren standarde të dyfishta nga Gjykata Supreme, atëherë këto vota nuk do të numërohen.
“Mendoj se vendimi i PZAP-it, është në rregull, tash të shohim se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Supreme. Por, unë po du me kthy mbrapa kujtesën, te vendimi i Gjykatës Supreme për Istogun, kur pikërisht për të njëjtat vota për të cilat po folni ju sot, dmth Istogun, e ka humbë Aleanca, për pak vota, i merret në njëfarë mënyre fitorja në tavolinë. Prandaj, sipas kësaj logjike edhe nëse nuk përdoren standarde të dyfishta, ato vota nuk do të numërohen”, tha Selmanaj për Periskopin.
Selmanaj po ashtu shtoi se NISMA ka marrë tashmë votat e mjaftueshme për të kaluar pragun dhe se VV’ja po bie në kundërshtim me deklaratat e mëhershme.
“Këta po bien në kundërshtim me deklaratat e tyre, nuk është nami që i humbë Vetëvendosja tre deputet, në fund të fundit Nisma i ka marrë 40 mijë vota edhe me kalu pragun , është krejtësisht normale, janë vota të tyre. Një subjekt politik me nxjerrë prej kombinimit, me vota të paligjshme, mendoj se nuk është në rregull, sepse sipas mendimit tim ato vota janë të paligjshme”, u shpreh Selmanaj.