Andi Zeqiri: Nuk e ndërrova fanellën me asnjë lojtar të Kosovës, ka qenë vendimi im për ta përfaqësuar Zvicrën
Lojtari i kombëtares së Zvicrës, Andi Zeqiri ka dhënë disa komente pas miqësores së zhvilluar dje kundër Kosovës.
Sulmuesi zviceran pranoi shumë vërshëllima dhe pa një baner të shpalosur në drejtim të tij nga Dardanët
Për gjitha këto gjëra, lojtari ka dhënë komentet e tij pas ndeshjes.
“Unë i kuptoj tifozët sepse ata duan lojtarët më të mirë për Kosovën. Jam shqiptar nga Kosova dhe çdo vit vizitoj Ferizajn. Ka qenë vendimi im për ta përfaqësuar Zvicrën, por gjithmonë do të jem djalë i Kosovës dhe do t’i gëzohem suksesit të Kosovës gjithmonë, sikurse edhe të Zvicrës, ku edhe luaj”, ka thënë Zeqiri, transmeton lajmi.net.
“Thirrjet e tifozëve i kam marrë me sportivitet, pasi jam një lojtar profesionist. Fanellën nuk e ndërrova me asnjë lojtar të Kosovës, pasi është shumë e rëndësishme për mua, sepse vjen nga një ndeshje si ajo ndaj Kosovës”, shtoi zvicerani.
Kosova dhe Zvicra u ndanë baras 1:1 në miqësoren e luajtur dje në ‘Letzigrund’.