Analistët tregojnë skenarët e mundshëm pas nominimit zyrtar të Albin Kurtit për kryeministër
Albin Kurti është mandatuar edhe zyrtarisht si kandidat për kryeministër të Kosovës. Edhe pse mandatimi është bërë pa një marrëveshje politike me LDK-në, parti me të cilën ishte në bisedime për arritjen e koalicionit, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të ecë tutje pas ngecjes në bisedime për formimin e Qeverisë. Njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se tani janë disa skenare që mund të ndodhin në Kosovë, teksa nuk e përjashtojnë mundësinë e një krize të re politike dhe institucionale.
Dita e sotme është vendimtare lidhur me krijimin ose jo të Qeverisë së re të Kosovës. Kjo për shkakun se nga sot me propozimin zyrtar që bëri Lëvizja Vetëvendosje edhe fillon numërimi mbrapsht i kohës prej 15 ditë për fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin.
Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija konsideron që tani janë tri skenare të mundshme që mund të ndodhin në skenën politike, pasi Albin Kurti u nominua zyrtarisht.
E skenari i parë, megjithatë më pak i mundshëm sipas Alijajt është arritja e marrëveshjes mes LVV-së e LDK-së në këto 15 ditë.
“I pari është që, në rast që Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja e shfrytëzojnë këtë 15-ditëshin për t’i shkri barrierat e tyre. Mirëpo shkrirja e ka marrë edhe kuptimin e mosdhënies së produktit përfundimtar që është koalicioni, duke pasë parasysh këtë shkëmbimin me video, mesazhe e letra edhe me deklarata që i kanë bërë të dyja subjektet politike, nuk duket të ketë dritë në afatin 15-ditësh për arritjen e koalicionit. Pra, produkti final dhe përfundimtar mund të jetë edhe mosarritja e koalicionit mes LDK-së dhe LVV-së. Vet fakti i marrjes së mandatit sot nga z.Kurti pa një marrëveshje me LDK-në, nënkupton që gjasat të arrihet një marrëveshje politike këto dyja subjekte janë shumë të vogla. Duke e pa që është hera e dytë pas votimit të kryeparlamentarit që LVV-ja shkon me i shty proceset tutje pa LDK-në, pra në këso rrethana gjasat që të arrihet një koalicion janë shumë të vogla”, ka thënë Alija për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Nëse nuk ndodh formimi i Qeverisë edhe pas 15-ditësh, Alija ka theksuar se presidenti mund ta mandatojë një kandidat nga partia e dytë, LDK-ja, për ta formuar më pas ajo Qeverinë nëse i ka numrat.
Megjithatë, kjo situatë sipas tij, mund të prodhonte një situatë të ndërlikuar politike nga paditë e ankesat e ndryshme në Gjykatën Kushtetuese.
“Skenari i dytë është që presidenti ta zgjedhë opsionin e mandatimit të subjektit të dytë politik, e që i bjen të jetë LDK-ja. Mirëpo në këto rrethana presidenti do ta fuste veten në një interpretim ligjor e kushtetues, sepse roli i presidentit në formimin e koalicioneve dhe në konstituimin e Qeverisë, është rol pasiv e jo aktiv, që nënkupton se presidenti e ka për obligim vetëm pjesën procedurale që është komplet e natyrës simbolike të dhënies së mandatit. Pra, roli i presidentit në kuptimin ligjor dhe simbolik, është rol pasiv në formimin e Qeverisë. Një rast që e dërgon ose i thërret, ua jep mandatin subjektit të dytë politik që në këtë rast është LDK-ja, do të futeshim në një situatë të komplikuar kushtetuese, që do të mund të çonte deri tek padia e subjekteve politike nga VV-ja apo kërkesa për interpretim në Kushtetuese”.
Skenari i tretë dhe më i mundshmi sipas Alijajt, janë zgjedhjet e reja. Megjithatë nëse nuk realizohen dy skenarët e parë sipas tij, vendi rrezikon të futet në krizë institucionale e sociale.
“Skenari i tretë janë zgjedhjet e reja e që është opsioni më i mundshëm në këto rrethana të kësa j kohe nëse nuk do të ndryshojë diçka, mirëpo në këto tri skenare sillemi aktualisht. Ajo çka është e rëndësishme është që pas 15-ditëshit edhe në rast që këto skenaret dështojmë, futemi në këtë ciklin të bllokadës politike edhe institucionale e mbi të gjitha edhe të një krize që i tejkalon përmasat e krizës politike dhe i merr edhe konotacionet e krizës sociale”.
Ndërsa për analistin tjetër politik, Shkodran Ramadani, pas asaj që ndodhi sot pritet që Albin Kurti të tentojë ta vendosë LDK-në në pozicion të pafavorshëm në sy të qytetarëve përmes ‘betejave publike’, pasi që një marrrëveshje potenciale sipas tij, është pak e mundshme.
“Nuk besoj që kjo ka me ndiku shumë në rindryshimin e situatës dhe raporteve mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Tash vetëm se intensifikohet beteja publike për gjetjen e fajtorit për dështimin e arritjes së marreëveshjes mes këtyre dy partive, por tashmë Albin Kurti është duke e bërë një lojë të re ku dëshiron ta vendosë LDK-në në pozicion të vështirë në sy të qytetarëve, dmth për t’i kërkuar atyre të lëshojnë pe për propozimet që i ka bërë LVV-ja, e jo të ndryshojnë vet pozicionin”, ka thënë ai.
Ramadani vlerëson se është në diskrecionin e Presidentit t’i jepet mandatari një partie tjetër, nëse LVV-ja dështon në këtë afat 15-ditësh.
Dhe sipas tij, nuk ka arsye që mos t’i jepet një partie tjetër nëse nuk arrin Vetëvendosja.
“Unë po rezervohem tek interpretimet e Kushtetutës pasi që nuk jam njohës, por nga ajo që kam pa prej komentatorëve të Kushtetutës, është që është në diskrecionin e Presidentit se kujt do t’ia japë herën e dytë mandatarin për formimin e Qeverisë dhe nëse z.Kurti nuk arrin që herën e parë, dmth këtë herë ta bindë presidentin që i ka votat për ta bërë Qeverinë, atëherë nuk shoh ndonjë arsye pse duhet t’i jepet prapë LVV-së mandatari, nëse nuk i ka votat. Por, herën tjetër ta shohim se çka do të ndodhë, por unë besoj se po shkojmë drejt varianteve të reja të formimit të Qeverisë”, ka shtuar Ramadani për FaktePlus.
E pasi që Kurti sot refuzoi ta marrë nominimin zyrtar vetë nga dora e të parit të shtetit, ai është dërguar në zyrën e kreut të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Tani Konjufca e ka në dorë që të thërrasë mbledhjen e Kuvendit të Kosovës për ta votuar Qeverinë, nëse për të arrihet marrëveshje në këtë afat 15-ditor.
Kujtojmë që bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së kanë ngecur ditëve të fundit. Kjo pasi që LDK-ja po kërkon që t’i kthehet kryeparlamentari dhe ta kenë atë deri në zgjedhjen e presidentit dhe ta propozojnë presidentin që sipas tyre do të jetë unifikues. Ndërkohë LVV-ja nuk po pranon t’ia kthejnë kryeparlamentarin, të cilin vet LDK-ja e votoi në seancën konstituive. LVV-ja ndërkohë propozoi ta rrisë numrin e ministrive në mënyrë që një më shumë t’i takojë LDK-së, por kjo ofertë nuk u pranua nga partia e Isa Mustafës.