Analistët të ndarë për rolin e Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi
Analistët kanë diskutuar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
Jeta Xharra nga BIRN thotë se për fat të keq nga viti 2011 vetëm 30 për qind të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë janë implementuar.
Xharra thotë se mungesa e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe Serbi nuk lidhet me mungesën e marrëveshjes por për shkak të korrupsionit të lartë në të dy vendet.
“Nëse nënshkruhet marrëveshja nuk do të ndalen as migrimet e as nuk do të zgjidhen përnjëherë problemet ekonomike. Qëllimi është të bëhet një fotografi e bukur para zgjedhjeve në SHBA në kohën kur në Amerikë është një fotografi jo e bukur me protesta”, tha Xharra, përcjell Telegrafi.
Analisti Imer Mushkolaj thotë se momenti është mjaft i papërshtatshëm për Kosovën.
Ai thotë në RTV Dukagjini se mes SHBA-së dhe BE-së nuk ka një ujdi që është diçka e re për Kosovën.
“Në marrëveshjet paraprake ka pasur parime. Për herë të parë nuk po shoh parime. Kemi pasur disa parime që kanë qenë të panegociueshme”.
Mushkolaj thotë se nuk ka nevojë të trumbetohet njohje reciproke kur në fakt Kosova e njeh Serbinë, por Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Po e shoh një situatë të pafavorshme për Kosovën. Nuk është çështja nëse duhet t’i themi jo SHBA-së”, ka shtuar Mushkolaj.
Nga ana tjetër Arton Demhasaj nga “Çohu” thotë se involvimi direkt i Uashingtonit është dinamikë e re.
“Ne e dimë si funksionon Brukseli për të vendosur diçka. Tash e kemi një qendër të vendimmarrjes që është Uashingtoni. Prandaj e shoh dialogun në Uashington shumë më pozitiv se atë në Bruksel. Kemi diskutuar për tetë vite në Bruksel dhe kemi arritur marrëveshje. Brukseli asnjëherë nuk ka vendosur sanksione për palët që nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura. Me Uashingtonin situata është ndryshe”, ka deklaruar Demhasaj.
Analisti Armend Muja thotë se mes SHBA-së dhe BE-së ka antagonizma të hapura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Muja thotë se BE-ja si kundërpeshë ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës e ka anëtarësimin e të parës në union e sipas tij nëse nuk përfshihet BE-ja çfarë do t’i ofrohet Serbisë për njohjen e Kosovës.
Analisti thotë se vështirësitë më të mëdha do të jenë në shtator kur do të duhet të bëhen lëshimet.