Analistët për takimin e sotëm Kurti-Mustafa, ja si mund të arrihet marrëveshja
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të takohen sërish sot për ta bërë përpjekjen e radhës drejt arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje, e cila është lënë në gjysmë tash e dy javë.
Të dy liderët një takim të tillë e kanë mbajtur edhe gjatë ditës së djeshme, e i cili përfundoi pa marrëveshje.
Pavarësisht që ishte thënë se sot në orën 16:00 përfundon ultimatumi prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia dha liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit që ta propozojë emrin e mandatarit të qeverisë së re, ky afat përfundon tek në ora 24:00, shkruan FaktePlus.
Por, se a do të jetë hera e fundit kur Kurti e Mustafa do të takohen për arritjen e një marrëveshje për koalicion qeverisës dhe një gjë e tillë të ndodhë sot, në takimin e orës 14:00, analistët politikë në vend shpresojnë që marrëveshja do të arrihet.
Analisti, Ramush Tahiri thotë për FaktePlus se pret që sot do të ketë marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së.
“Unë pres që të ketë marrëveshje sepse ka dy alternativa, njëra alternativë është që duhet me hjek dorë prej kryeparlamnetarit që unë nuk besoj, edhe variant tjetër është që me e marr një ministri më shumë 6 me 4 LDK-ja, e që edhe këtë nuk e besoj sepse LVV-ja, nuk lëshon pe dhe opsioni i tretë është që të merren vesh për presidentin dhe të shkojnë ashtu si janë pesë ministri kryeparlamentari, dhe kryeministri i LVV-së dhe LDK-së t’i mbetet presidenti dhe pesë ministri”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse sot nuk ka marrëveshje atëherë bisedimet më nuk mund të vazhdojnë sepse nuk ka asnjë situatë të re për të cilën mund të bëhej ndonjë kompromis tjetër.
I të njëjtit mendim është edhe analisti tjetër, Nexhmedin Spahiu.
Spahiu, thotë për FaktePlus se arritja e marrëveshjes ne mes Lëvizjes Vetevendosje dhe LDK-së, nuk ka ndodhur shkaku i strategjisë së Isa Mustafës për çështjen e presidentit.
“Besoj se më në fund në minutën e fundit do të arrijnë marrëveshje. Kjo ka qenë një strategji e Isa Mustafës që të mbajë vallen deri në minutën e fundit ndaj partnerit të vet , do të thotë ne stres për ta betonuar premtimin që Vetëvendosje do t’i jep votat e saja për president të vendit kandidatit të LDK-së. Besoj se kompromiset tjera do të arrihen dhe më në fund do të ndodhë koalicioni”, ka thënë Spahiu.
Spahiu, deklaron se Mustafa nuk do ta bëjë marrëveshjen me :VV-në pa e zgjidhur përfundimisht çështjen e presidentit.
“Isa Mustafa nuk e bën kompromisin me VV-në pa e zgjidhur çështjen e presidentit sepse ai nuk kujdeset për interesa të LDK-së, ai kujdeset për interesat e veta kështu që mos të ishte puna e presidentit koalicioni do të ndodhte, mirëpo ka qenë një gjë e qëllimtë nga ana e LDK-s, përkatësisht e lideri të saj që ta lë Vetëvendosjen ta zgjedh kryetarin e Parlamentit që sa më shumë ta betonojë qëndrimin e VV-së, të lëshojë pe për presidentin. Isa Mustafa nuk ka mundur ta thotë hapur që nuk e dëshiron kryeparlamentarin, mirëpo ai në fakt nuk ka qenë i interesuar që ta merr kryetarin e Parlamentit por ka qenë i interesuar që të marrë vetëm pozitën e presidentit dhe ministritë që nuk ia rrezikojnë pushtetin”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, këto janë llogaritë që ka bërë Isa Mustafa e të cilat kanë quar deri në zvarritjen e deritanishme të formimit të koalicionit qeverisës.
Por, ndryshe mendon analisti tjetër Imer Mushkolaj.
Ai thotë për FaktePlus se pas gjitha negociatave është e vështirë të thuhet se a do të arrihet sot koalicioni apo jo.
“Është vështirë me thënë se a do të ndodhë apo jo, por ajo që do të duhej me ndodhë është që partitë me na tregu se çka e kanë ndërmend me bë, dmth LDK-ja së pari të tregojë a po dëshiron të qëndrojë në opozitë apo dëshiron me ardhë në pushtet, edhe nëse LDK-ja e ka këtë të qartë atëherë situata qartësohet edhe e dimë se po shkojmë në fakt drejt zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai thotë se LDK-ja ende nuk e ka të qartë a dëshiron të qëndrojë në opozitë apo të jetë në pushtet.
“Është një far situate shumë e papërshtatshme në kuptim që Vetëvendosja tashmë e ka bërë atë ofertën e vet edhe emrat e të propozuarve për ministra, ndërkohë që LDK-ja sikur ende nuk e ka shumë të qartë nëse përnjëmend e ka a dëshiron të vijë në pushtet ose jo, mendoj se sot LDK-ja do të duhej ta bëjë të qartë një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Sipas tij, dy partitë fituese do të duhej të brengosen për zvarritjen e krijimit të institucioneve dhe siç thotë Mushkolaj sot është rasti që të dyja ta dëshmojnë veten se dëshirojnë të qeverisin bashkë.
Pritet të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin e sotëm në mes Albin Kurtit dhe Isa Musafës, dhe se a do të ketë marrëveshje apo jo. Ndërkaq LVV-ja sot po vazhdon mbledhjen e Kryesisë të cilën e ka nisur dje.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit dy partitë më të votuara janë Lëvizja Vetëvendosje me 26.270% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.548% të votave./FaktePlus