Analistët deklarohen për dështimin e koalicionit LVV-LDK dhe rikthimin e PAN-it në Qeveri
Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund të arrijë një marrëveshje me LDK-në, atëherë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet e të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë për të formuar Qeverinë.
E kjo alternativë e shprehur nga zyrtarët e AAK-së po konsiderohet sa e mundur ashtu edhe si jo e duhur nga disa analistë.
Si gabim i radhës po quhet arritja e një koalicioni në mes AAK-së, PDK-së e Nismës, nga analisti Mazllum Baraliu.
Kjo, për shkak që qeverisja e kaluar sipas Baraliut në mes këtyre subjekteve politike kishte vështirësi të mëdha dhe ishte qeveri e pakicës e cila në vazhdimësi kishte vështirësi të funksionimit.
Mirëpo, ai shton se gjithçka është e mundur edhe përsëritja e një koalicioni të tillë.
“Mund të ndodhë nuk është asgjë e pamundur por do të ishte gabimi i radhës mendoj unë për të mos thënë veprimi i radhës sepse do të ishte shumë e butë por realisht gabim i radhës i përsëritur me veprimet që u bënë nga ky subjekt dhe nga eksponentët e tij duke pretenduar për ta bërë Qeverinë e që e bën me vështirësi të mëdha dhe thjesht një Qeveri të pakicës e cila vazhdimisht kishte vështirësi të funksionimit dhe sfida e sprova hera herës të patejkaluara të cilat sollën deri te dorëheqja përveç të tjerash’, ka thënë Baraliu.
Sipas tij, nëse përsëri shkohet me arrnime të tilla prapë do të jetë shumë e vështirë përsëri të bëhet një shumicë parlamentare.
Ndërsa, ka deklaruar se koalicioni LVV-LDK është zgjidhja e vetme.
“Po unë mendoj se është zgjidhja e vetme dhe imperative koalicioni LVV-LDK dhe tash pas qartësisë së episodit në Kuvend që ishte konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë mendoj që tani është e qartë për të dy palët që ka një qartësi, një baraspeshim, një balancim të përgjegjësive në parlament dhe tani mendoj se nuk ka arsye as Vetëvendosja të mos e pranoj propozimin e LDK-së për president e as kjo e fundit të mos e pranoj këtë solucionin që e kanë paralajmëruar 50 me 50 të dikastereve qeverisëse”, ka thënë ai.
Por, ndryshe mendon analisti tjetër, Nexhmendin Spahiu. Ai thotë se të gjitha opsionet për koalicion janë të mundshme.
“Nëse LVV-ja dhe LDK-ja nuk mund ta arrijnë koalicionin mund ta arrijnë të tjerët, tash mund AAK-ja ta arrijë me njërën prej këtyre dyjave, ose mund të bëjnë me PDK-në, Nismën edhe me minoritetet. Do të thotë të gjitha rastet janë në opsion, por unë besoj që të dy forcat politike LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë ta bëjnë koalicionin sepse pas një presioni që do të bëjnë vendet mike të Kosovës”, ka thënë Spahiu.
Por, si shton se mund të ndodhë edhe ajo që LVV-ja dhe LDK-ja të shkojnë në opozitë nëse nuk arrijnë të merren vesh mes vete për koalicion.
“Mundet me ndodhë, është e mundshme, pra mundem të them se të gjitha opsionet janë të hapura në rast se nuk arrijnë këto koalicion, atëherë mund të bëjnë Aleanca me Nismën e minoritetet dhe me LDK-në, por në anën tjetër mund të bëjnë të gjitha këto tjerat dhe ti lënë në opozitë LVV-në dhe LDK-në”, ka pohuar ai.
Kujtojmë se kanë mbetur edhe tri ditë kur edhe do të bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Kosova ende nuk ka formuar institucionet qeverisëse. Ndërsa, të hënën do të mbahet takimi konsultativ për mandatimin e Qeverisë, në mes presidentit Hashim Thaçi dhe fituesit të zgjedhjeve Albin Kurti.
Zgjedhjet e fundit sollën ndryshim në skenën politike, pasi sipas rezultateve tashmë të certifikuara, do të ketë rotacion në udhëheqjen e institucioneve të vendit.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës e dyta, të cilat prej disa javësh janë duke u munduar që të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.
Mirëpo, LVV dhe LDK ende nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së posteve, pasi partia e Isa Mustafës po kërkon me ngulm që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, kërkesë të cilën nuk po e pranon Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit./FaktePlus