Analfabetizmi ende i pranishëm në Kosovë, me mijëra klasik e funksional
Krahas problemeve të shumta që e kanë karakterizuar sistemin arsimor ndër vite në Kosovë, edhe shkalla jo e ulët e analfabetizmit ka qenë njëra prej tyre. Prej gati dy dekada vazhdimisht është ngritur alarmi për ekzistimin e kësaj dukurie, e cila nuk u zhduk as pas zotimeve se do të bëhej më 2015. E ndërsa statistika zyrtare të analfabetëve në Kosovë nuk ka që nga viti 2011, nga ministria theksojnë se kanë punuar me këta persona përmes programeve të ndryshme.
Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë apo klasik dhe këta nuk dinë fare shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë persona.
Zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) thonë se që nga viti 2003 kanë organizuar kurse të shkrim-leximit bazik nëpër shkollat e Kosovës dhe kanë hartuar kurrikula të veçanta sa i përket kësaj problematike.
“MASHT-i që nga viti 2003 ka organizuar kurse të shkrim-leximit bazik për gra dhe vajza. Kurset janë organizuar në të gjitha komunat e Kosovës ku ka pasur kërkesa. Mësimi është realizuar në bashkëpunim me DKA-të dhe OJQ-të . MASHT-i në bashkëpunim me UNICEF dhe ekspertë nga UNESCO ka hartuar kurrikulin Dritare-Jetë për këtë kategori të qytetarëve. Programi është i barasvlefshëm me klasën e V të arsimit fillor”, ka thënë për FaktePlus Afërdita Jaha, zyrtare për arsim joformal në MASHT.
Jaha tutje ka thënë se kanë hartuar edhe libra të posaçëm për projekte që synojnë zhdukjen e këtij fenomeni.
“Ligji për arsimin parauniversitar dhe ligji për arsimin për të rritur ofrojnë mundësi fleksibile dhe u mundëson qytetarëve kalimin nga sistemi i arsimit për të rritur në arsimin e rregullt. Kemi hartuar edhe librat e posaçëm për projektin Dritare-Jetë”, ka shtuar tutje Jaha.
Që nga faktorët socio-ekonomik, braktisja e shkollës në moshë të hershme e faktorë të tjerë janë cilësuar si ‘fajtorë’ për shkallën jo të vogël të kësaj dukurie në vend.
Njohësi i fushës së arsimit, profesor Dukagjin Pupovci konsideron se në mungesë të studimeve, vetëm mund të spekulohet për shkaqet e analfabetizmit.
Megjithatë, sipas tij, tekstet mësimore, organizimi i mësimit e metodat e mësimdhënies mund të jenë disa prej faktorëve.
“Në mungesë të studimeve të mirëfillta vetëm mund të spekulojmë për shkaqet, por rëndom bëhet fjalë për defektet në sistemin e arsimit, siç janë kërkesat e kurrikulës, tekstet dhe materialet mësimore, organizimi i mësimit, metodat e mësimdhënies dhe të vlerësimit, etj”, ka thënë Pupovci për FaktePlus.
Ndërsa për njohësin tjetër, Rinor Qehaja, fakti që sistemi arsimor në Kosovë nxit të mësuarit përmendsh e jo analizimin apo mendimin, mund të jetë prej faktorëve që ka ende analfabetë klasik e funksional.
“Sistemi jonë arsimor nxit jashtëzakonisht shumë të mësuarit motorik. Kjo ka krijuar individ që nuk janë të nxitur të mendojnë ose analizojnë. Ky sipërfaqësitet në të mësim nxënie pastaj shumë lehtë bartet tutje në vend të punës, duke instaluar individë jo komentet që nuk gjenerojnë asgjë më shumë se një rutinë pune”, ka deklaruar Qehaja për FaktePlus.
Përveç analfabetizmit klasik, Kosova po ballafaqohet edhe me një problem tjetër që është analfabetizmi funksional.
Analfabetizmi funksional përkufizohet si aftësia e leximit dhe shkrimit që është e papërshtatshme për të menaxhuar detyrat e përditshme të jetesës dhe punësimit që kërkojnë aftësi të të lexuarit përtej një niveli bazë.
Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard konsideron se nëse nisemi nga përkufizimi klasik i një alfabeti funksional, atëherë mund të flasim për shumë të tillë në mesin tonë.
“Përkundër që mungojmë me të dhëna zyrtare analfabetizmi funksional, mendohet të jetë në shkallë më të lartë, dhe kjo pastaj dallon shumë mes grup moshave. Nëse i kthehemi te thelbi i analfabetizmit funksional, ai i individit që nuk di kuptimin e asaj që shkruan ose lexon, besoj që shumë kush nga ne mund të etiketoj të tillë në mesin tonë”, ka deklaruar Qehaja.
Ndërsa për Dukagjin Pupovcin, një indikacion për shkallën e analfabetizmit funksional në Kosovë, e japin rezultatet e testit PISA.
“Në Kosovë nuk ka pasur ndonjë studim gjithëpërfshirës për analfabetizmin funksional. Një indikacion për shkallën e analfabetizmit funksional e jep rezultati i testit PISA, i cili tregon se rreth 78% të nxënësve 15- vjeçar të testuar në vitin 2018 nuk kanë arritur standardin minimal të aftësive në fushën e leximit, gjë që ka efekt zinxhiror në të gjitha fushat e jetës”, ka theksuar Pupovci.
Por sa ka bërë shteti për ta zhdukur këtë dukuri sipas këtyre njohësve?
Sipas Pupovcit, për zhdukjen e analfabetizmit klasik është bërë mjaft shumë, ndërsa problematike mbetet ende dukuria e analfabetizmit funksional.
“Sa i përket analfabetizmit klasik, ky problem adresohet përmes rritjes së pjesëmarrjes në shkollim dhe këtu është arritur një progres i madh. Nga këndvështrimi i pjesëmarrjes, Kosova mund të krahasohet me secilin vend evropian dhe kam besim se analfabetizmi klasik do të shkojë duke u zvogëluar deri në çrrënjosjen e plotë të tij. Ndërkaq, analfabetizmi funksional është problem shumë më kompleks dhe kërkon angazhim në përmirësimin e shkathtësive të leximit dhe numeracionit, si për gjeneratat që tani janë duke u shkolluar, ashtu edhe për ata që tanimë janë në tregun e punës dhe nuk kanë shkathtësi të tilla. Mendoj se deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, sepse shoqëria jonë akoma nuk është e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset nga shkalla e lartë e analfabetizmit funksional”, ka shtuar Pupovci.
Ndërsa Rinor Qehaja thotë se duhet të ketë politikbërje adekuate dhe vullnet për ta korrigjuar situatën aktuale, e cila është mjaft e rënduar.
“Pikënisje e trajtimit të problemit duhet të jetë të dhënat, pra statistikisht të kemi të definuar numrin e të analfabeteve dhe analfabeteve funksional si dhe burimet e problemit, pastaj, këto shifra duhet të kthehen në polit bërje dhe vullnet për të korrigjuar situatën”, është shprehur Qehaja.
Ndryshe, ligjvënësit kosovarë më 2008 përmes një rezolute kishin miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atë kohë, ata ishin zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës se do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin. Sipas Objektivave të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova duhej të eliminonte analfabetizmin deri në vitin 2015./FaktePlus