Amerikani ktheu bunkerin në shtëpi
Artisti dhe këshilltari Ruben Romero 45-vjeçar para tetë vjetëve kishte filluar të mendonte se ku dëshiron të jetojë, pasi jeta në periferi të Peachtree Cityt në Georgia të SHBA-së nuk ishte për të.
Atij i shkuan në mendje ide si anije, ishull apo edhe nëndetëse, para se të mësonte se disa persona po rinovonin bunkerët nuklearë të vitit 1960-ta e po i kthenin në shtëpi.
Ruben dhe bashkëshortja e tij Joan (45) shikuan një bunker në Midwest, dhe ranë në dashuri me të.
Punuan me vite për të kthyer idenë në realitet, para se të vendoseshin në atë bunker në korrik të vitit 2020.
Tre nga katër fëmijët e çiftit, Enoch (18), Zion (15) dhe Celestial (12) jetojnë po ashtu në bunkerin që është 550 metra katror.
Ruben për “The Sun” ka thënë se synimi i tij është ta kthejë bunkerin në një vend ku fëmijët e tij mund të sjellin familjet e tyre e të socializohen.
Bunkeri ishte përdorur për të mbajtur kanalet e komunikimit mes Bregut Lindor dhe Perëndimor në rast të një sulmi nuklear.
Por, Ruben thotë se nuk po përgatitet për një ngjarje të tillë, por po e transformon bunkerin në shtëpi.
Shokët i kanë thënë Rubenit që të ndriçojë bunkerin, por ai i reziston kësaj ideja.
“Unë kam reaguar duke thënë se nuk dua të dëmtojë integritetin nuklear të bunkerit tim. Nëse diçka ndodh, atëherë do të ndjehesha shumë budalla”, ka thënë Ruben.
Ai beson se do të ishte më i sigurt me familjen e tij në rst se ndodh ndonjë katastrofë natyrore po ashtu, si tërmeti.
Bunkeri është i mbrojtur nga pulset elektromagnetike, që do të thotë se një rrjetë bakri e rrethon atë.
Ajo mbrojtje përdoret që në rast të sulmeve me armë të mos shkatërrohen gjërat elektronike brenda.
Dyert janë të blinduara që t’i mbijetojnë edhe një shpërthimi nuklear.
Ruben aktualisht po instalon edhe një sistem ventilimi për të rikuperuar energjinë, që mund të sjellë ajër pa humbur shumë nxehtësi.
Rubeni përdor dhomën më të madhe të bunkerit si kuzhinë.
Ndonëse e ka rinovuar bunkerin e ka kthyer në shtëpi, ai këshillon amerikanët të mos blejnë bunkera.
“Kushton shumë për ta rinovuar atë dhe nuk do të kthejë më kurrë ato para. Do të këshilloja menjëherë kundër blerjes së një bunkeri. Nuk është investim i mirë”, ka thënë Ruben.