Amerikani 12-vjeçar dyshohet për vrasjen e boksierit profesionist
John Duane VanMeter ishte i shtrirë në tokë kur policia arriti në shtëpinë e tij. E dashura e boksierit i ka thënë policisë se ai u qëllua me armë nga një sulmues i maskuar. Policia e Teksasit njoftoi më vonë se i dyshuar për këtë vrasje është një djalosh 12-vjeçar, ndaj të cilit tashmë është ngritur akuza për vrasje të rëndë.
Vdekja e boksierit 24-vjeçar e ka prekur tërë komunitetin e boksierëve të Teksasit. Sidoqoftë, fakti që i dyshuari për vrasje është një 12-vjeçar e ka ngritur një pyetje shqetësuese: Çfarë mund ta ketë shtyrë fëmijën për ta vrarë një njeri? Akuza e ngritur ndaj tij për një krim që do t’ia jepte dënimin me vdekje sikur të ishte gjashtë vjet më i rritur e ka vënë në pikëpyetje edhe sistemin e drejtësisë për të miturit, përmes së cilit ata shpesh janë trajtuar njësoj si të rriturit.
Djaloshi, emri i të cilit nuk është bërë publik, është njëri nga personat më të rinj që janë akuzuar për vrasje të rëndë në këtë shtet. Ai nuk mund të dënohet me vdekje sepse Gjykata Supreme e SHBA-së ka vlerësuar se ndëshkimi i personave të moshës nën 18-vjeçare me dënimin më të rëndë është antikushtetues. Megjithatë, nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 40 vjet burgim.
Sipas ligjeve të Teksasit, rrethanat tjera të vrasjes, siç janë rrëmbimi, vjedhja, dhuna seksuale dhe vrasja e policëve mund ta arsyetojnë dënimin e fajtorëve me ndëshkimin më të rëndë. Ekspertët ligjorë thonë se vjedhja mund të përdoret si arsye për rastin e këtij djaloshi, nëse prokurorët sigurojnë fakte për krimin e dyfishtë të vjedhjes dhe vrasjes, shkruan “The Washington Post”.