Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka reaguar për refuzimin e hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi.

Në një shkrim në Twitter, Rohde tha se sporti nuk duhet përzier me politikën dhe se ky refuzim është shembull i “Ballkanit të Mbyllur” dhe jo Ballkanit të Hapur.

Tutje ambasadori mbështeti zëdhënësin e BE-së Peter Stano, i cili tha se BE-ja mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

“Siç tha dje një zëdhënës i BE-së, “pajtimi afatgjatë midis shoqërive fillon me shkëmbime intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.”

“Politizimi i sportit nuk është kurrë një ide e mirë. Parandalimi i pjesëmarrjes së boksierëve të Kosovës në @AIBA_Boxing shkon në drejtim të kundërt. Ky është fatkeqësisht një shembull i Ballkanit të mbyllur jo të hapur”, shkroi Ambasadori.

Të hënën gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi.

Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë veprimin diskriminues të Beogradit.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ndryshe, Kosova është dashur të përfaqësohet nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.