Ambasadori amerikan beson se marrëveshja finale arrihet brenda këtij mandati të Kurtit dhe Vuçiqit
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së se në Bruksel duhet të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ka për qëllim njohjen reciproke.
Ambasadori Hovenier në një intervistë për mediumin serb Kossev potencoi se vendi i tij e mbështet fuqishëm këtë proces dhe do të punojë me partnerët e tij për ta përmirësuar atë.
Edhe pse thotë se gjithçka varet nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Havenier beson se një marrëveshje e tillë mund të arrihet gjatë mandatit aktual të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, transmeton Reporteri.net.
“Ka çështje të vështira që kanë kosto politike. Të dyja palët do të duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe kreative dhe me një urgjencë të caktuar për ta arritur këtë”, përfundoi ambasadori.
Hovenier ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se shumëçka ka ndryshuar që nga vizita e fundit në Mitrovicë në vitin 2007, kur ka punuar në ekipin e Martti Ahtisaarit.
Ai komentoi sulmet e fundit në drejtim të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se PK-ja e kishte siguruar atë se po e “trajton këtë çështje shumë seriozisht”.
Hovenier gjatë kësaj jave vizitoi për herë të parë Mitrovicën e Veriut që nga emërimi si ambasador i SHBA-së në Kosovë.