Allegri lë pas edhe Guardiolën, ja pse është trajneri më i suksesshëm në “top 5”
Në pesë sezone, që e drejtoi Juventusin, ai fitoi po kaq tituj kampioni në Serie A. Këtu nuk mund të neglizhohen edhe katër Kupat e Italisë, por edhe trofe të tjerë, që e bëjnë Masimilliano Allegrin trajnerin më të suskseshëm në krye të bardhezinjve. Megjithatë, fitimi i Ligës së Kampionëve mbeti një mirazh për trajnerin livornez, çka i “hëngri kokën”, sipas të gjitha gjasave, duke mos u “votëbesuar” për më tej nga krerët e “Zonjës së Vjetër”.
Një fakt tjetër interesant ka dalë sot në dritë për Max, që ia shton “kredencialet” atij edhe jashtë kufijve të Italisë, në krejt kontinentin tonë. Nëse nuk ia doli ta “pushtojë” Europën me Juven, duke dështuar në dy finale të Champions-it, janë disa statistika, që e vendosin Allegrin në “Olimpin” e pesë ligave kryesore të këtij kontinenti (top 5). Më konkretisht, 142 është numri i fitoreve të 51-vjeçarit në krye të bardhezinjve, nga 180 ndeshje të luajtura në total.
Në këtë drejtim, Allegri lë mbas vetes edhe emra të tillë, si Pep Guardiola, në stolin drejtues të dy skuadrave (Bayern Munich dhe Manchester City). Trajneri katalanas ka marrë 140 fitore (dy më pak se Allegri), në 182 ndeshje të luajtura. Kjo renditje vijon me Diego Simeone, të tretin (119 fitore në 190 ndeshje), Unai Emery (114 fitore në 190 ndeshje) dhe Mauricio Pochettino (110 fitore në 190 ndeshje).