Allegri e zbulon të ardhmen e tij në Juventus
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka mohuar spekulimet për të ardhmen e tij, pas eliminimit të mbrëmshëm nga Liga e Kampionëve në ndeshjen kundër Ajaxit. Ai ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e klubit edhe sezonin tjetër.
Massimiliano Allegri, i cili i ka fituar me Juventusit katër tituj të Serisë A, dy tituj të Kupës së Italisë dhe ka shkuar në dy finale të Ligës së Kampionëve, ka bërë të ditur se ai e ka diskutuar të ardhmen e tij me presidentin e klubit, Andrea Agnellin.
“Unë tashmë kam biseduar me presidentin, do të mbetem pjesë e Juventusit edhe sezonin e ardhshëm dhe i kemi filluar përgatitjet dhe planifikimet për sezonin e ardhshëm”, është shprehur Allegri, i cili do ta shtojë edhe një medalje të artë të Serisë A në kabinetin e tij nëse arrin të paktën barazim në ndeshjen e së shtunës kundër Fiorentinës.
Juventusi e transferoi pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldon, gjatë verës së kaluar për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve. Megjithatë, Allegri nuk e ka pranuar se portugezi nuk i ka arritur pritshmëritë.
“Ronaldo na ka ndihmuar shumë neve në këtë kampanjë, por kur arrin në çerekfinale, të nevojiten të gjithë lojtarët. Gjithmonë kam thënë se për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve, të nevojitet formë e mirë dhe nivele të mira fitnesi”, është shprehur Allegri.
“Ne kemi qenë në këtë situatë emergjente tash e sa kohë dhe mund ta duronim atë vetëm për një kohë të caktuar. Neve na mungonin katër ose pesë lojtarë sonte. Daniele Rugani dhe Leonardo Bonucci luajtën mirë për 50 minuta, por pastaj e humbën unitetin dhe organizimin, duke ia dhënë Ajaxit epërsinë”.