Aliu: Shtrenjtimi i energjisë u llogarit gabimisht, në tarifat e reja të përfshihen edhe bizneset
Tarifat e energjisë elektrike janë llogaritur gabimisht nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), kur vendosi për shtrenjtimin e tyre në shkurt të këtij viti.
Kështu po vlerëson eksperti i ekonomisë, Florin Aliu, sipas të cilit komponenti kryesor i tarifave është llogaritur gabimisht, dhe kjo është kostoja mesatare e ponderuar e kapitalit, e njohur si WACC.
“Unë ende qëndroj pas kësaj që WACC është llogaritur gabim, pasi është e pamundur që dy kompani me strukturë të ndryshme borxhi, strukturë kapitali, kontrollë pronësie dhe objektiva në treg të kenë të njëjtin WACC. Kjo është krejtësisht e pamundur, pasi vetëm ndryshime të vogla në komponentët e WACC-se nuk do te lejonin qe këto kompani t’i kishin të njëjtat WACC”, ka theksuar Aliu në një intervistë për Front Online.
Për ta argumentuar këtë gjë, Aliu ishte ftuar edhe në Komision Parlamentar.
“Përballja në komisionin parlamentar nuk ishte e lehtë dhe më pas u ndjeva shumë keq pasi debati u bë personal dhe jo mbi argumente shkencore. Megjithatë, ajo që më bëri të ndihem mirë ishte mënyra se si u trajtova nga deputetët e pozitës dhe opozitës dhe për këtë dua t’i falënderoj”, ka potencuar ai.
Sipas Aliut, pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një ekip ekspertësh të pavarur, jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar, që do të sillte analiza serioze për këtë çështje.
“Çështja e energjisë elektrike na prek të gjithëve, ndaj duhet ta trajtojmë seriozisht këtë çështje dhe kjo duhet te ndodhe vetëm nga ekspertët. Përveç kësaj, nëse mund të ketë tarifa të reja, duhet të përfshihen jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset. Mendimi im është se ne nuk duhet të kemi fare tarifa, por megjithatë këtë çështje e lë në vlerësimin e ekspertëve”, ka përfunduar ai.