Alexei Navalny niset drejt Rusisë, mund të përballet me arrestim
Më 13 janar, lideri opozitar rus, Alexei Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.
“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.
Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin. Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.
“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.
Navalny qëndroi gjashtë muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin.
Në gusht, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë.
Navalny thuhet se është helmuar me agjentin nervor, Noviçok.
Navalny në këtë fluturim është shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij.
Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.
Sipas dokumenteve të një gjykate ruse, Navalny mund të përballet deri me tre vjet burgim. Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht.