Aleksandër Vuçiq ankohet që Safet Gërxhaliu nuk është ende në OEK
Presidenti i Serbisë, Alekander Vuçiq gjatw një konference të organizuar për media pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për taks prej 100 për qind për produktet serbe, ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhte po të mos shkarkohej Safet Gërxhaliu nga kreu i Odës Ekonomike të Republikës së Kosovës.
“Turp që e kanë larguar Safet Gërxhaliun nga Oda Ekonomike e Kosovës, ai e dinte se çfarë është tregtia dhe çfarë është ekonomia”, ka thënë Vuçiq në konferencë për shtyp.
Ai ndër të tjera ka thënë që një masë e tillë është vendim i pastër politik, i cili nuk ka të bëjë me mënyrën se si funksionin ekonomia.
Kryetari aktual i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për taks ndaj produkteve serbe.
Ndërsa përgjatë kohës kur Gërxhaliu ishte në krye të OEK-ut, kishte organizuar një panair në Kosovë në të cilin kishin marrë pjesë dhjetëra kompani serbe.