Albulena Haxhiu: Veç përmes reciprocitetit Kosova do të jetë e barabartë me vendet tjera
Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mes kryeministrave të asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, të arritur më 19 prill të 2013-tës.
Haxhiu, thotë se kjo marrëveshje cenonte rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës prej ku hidheshin hapat e parë të autonomisë së Serbisë përbrenda Kosovës.
Postimi i saj:
Me 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mes kryeministrave të asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Kjo marrëveshje cenonte rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës prej ku hidheshin hapat e parë të autonomisë së Serbisë përbrenda Kosovës. Krahas 15 pikave që defunksionalizojnë vendin, sivjet u njoftuam që bashkë me marrëveshjen e dëmshme por publike, u nënshkrua edhe një marrëveshje e fshehtë nga Hashim Thaçi, tash president, me ç’rast ishte garantuar mosdërgimi i trupave të FSK-së në veri të vendit.
Sipas kësaj marrëveshje të prillit 2013, pika 1 dhe 2, do të instalohej një asociacion/bashkësi serbe, ku do të mund të merrnin pjesë vetëm komunat serbe, për shuarjen e të cilave do të mund të vendosnin vetëm ato vet, dhe jo Republika e Kosovës. Ndërkohë që pika e 5 e lente të hapur shtimin e këtyre kompetencave dhe nevojën për rinegociim të vazhdueshëm. Kjo nuk ishte asgjë tjetër pos autonomi për serbët.
Me këtë marrëveshje drejtësia, rendi dhe ligji, arsimi dhe shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe planifikimi hapësinor për serbët mund të ofrohej vetëm nga serbët. Çdo institucion e pozicion merrte karakter etnik, çka paraqiste edhe vet fundin e konceptit të multietnicitetit që vjen nga Pakoja e Ahtisaarit. Në anën tjetër, pika e 7 dhe 8 parashihte legalizimin e strukturave kriminale paralele të Serbisë dhe integrimin e tyre në organet e rendit, ndërkohë që sipas pikës 9 të po kësaj marrëveshje thuhej qartë që të gjitha këto komuna serbe komandatin e Policisë duhej ta kishin serb dhe vetëm serb.
Ndërkaq në aspektin e drejtësisë Gjykata e Apelit obligohej të krijonte një njësit të veçantë që do të përbëhej me shumicë nga gjyqtarët serbë që shënon edhe çarje të unitaritetit të sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje ishte ajo çka në vazhdimësi e kemi quajtuar si fara e bosnjëzimit të Kosovës, ndërkohë tendenca për t’i dhënë jetë kësaj marrëveshje me 2015 u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, pas protestave masovike, duke theksuar se ajo marrëveshje shkelte frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës në së paku 23 nene të saj.
Të gjitha këto këto ishin marrëveshje në kuadër të asaj që quhej normalizimi i marrëdhënieve. Pra, defunksionalizimi i shtetit të Kosovës nënkupton marrëveshje për normalizim me Serbinë. Rezultatet e negociatave nga këta politikanë nuk mund të ishin ndryshe sepse pikënisjen e kishin të gabuar, ato nisesshin nga raporte asimetrike dhe rezultonin me thellim të pabarazisë mes dy vendeve. Reciprociteti si vlerë dhe si fillim i barabartë nuk ishte qasja që është ndjekur ndaj Serbisë. Në mungesë të këtij parimi pala kosovare asnjëherë nuk i shtroi kërkesat ndaj Serbisë, përkundrazi këta negociatorë vetëm i përgjigjeshin kërkesave të Serbisë.
Vetëm përmes parimit të reciprocitetit Republika e Kosovës do të jetë e barabartë me vendet e tjera dhe do të sillet dinjitetshëm ashtu siç e meriton një Republikë.
Me 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mes kryeministrave…
Julkaissut Albulena Haxhiu Sunnuntaina 19. huhtikuuta 2020