Albulena Haxhiu i sheh të ndërlidhura pezullimin e vendimeve në MPJ me njoftimin e Gjykatës për dënimin me kusht të Adem Grabovcit
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi i MPJ’së për pezullimin e vendimeve të ish-ministrit Konjufca dhe dënimi me kusht i protagonistit kryesor të aferës ‘Pronto’ Adem Grabovci janë të ndërlidhura.
Haxhu ka shkruar se zhbërja e vendimeve të qeverisë Kurti dhe dënimi me kusht i Grabovcit tregon për vazhdimin e kapjes së shtetit.
“Në ditën kur qeveria Koti e koalicionit PLAN paska vendosur rikapjen e institucioneve të vendit duke i zhbërë disa vendime të qeverisë Kurti doli edhe vendimi për kinse dënimin e personifikimit të kapjes së shtetit dhe protagonistit të Aferës Pronto, Adem Grabovci. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësi, përkundrazi ky është cenim i rëndë i drejtësisë kur gjithë ato biseda të cilat me prova e fakte në terren tregojnë se ajo skemë e kapjes është e realizuar dhe gjindet këmbë e kry në institucionet e Republikës. Vendimi me kusht dhe jo me burg është djegie e drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se procesi i Vettingut i filluar në qeverinë Kurti duhet të përfundohet në institucionet e drejtësisë.
“Institucionet e drejtësisë kanë nevojë më shumë se kurrë për një proces legjitimimi që do të bëhej përmes vettingut të cilin e patëm filluar gjatë qeverisjes. Vetëm me përcaktim të qartë politik për çkapjen e shtetit prej nga edhe gjyqësori do t’i ketë duart e lira dhe të pavarura do të kemi shtet të së drejtës, i cili nuk është shtet që dënon vetëm aty ku ka mundësi, por aty ku duhet dënuar. Kosova nuk mund të jetë vend ku dënohen vetëm të varfërit e qytetarët e zakonshëm e nuk preken të fortët e politikës dhe krimit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.