Albin Kurtit sot nga ora 15:00 i fillon numërimi mbrapsht prej 15 ditësh
Dita e sotme pritet të jetë vendimtare lidhur me krijimin ose jo të Qeverisë së re të Kosovës. Kjo për shkakun se nga ora 15:00 kur fillon takimi i presidentit Hashim Thaçi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje edhe fillon numërimi mbrapsht i kohës prej 15 ditë për fituesin e zgjedhjeve.
Kështu vlerësojnë ekspertë e njohës të çështjeve juridike e kushtetuese, të cilët vlerësojnë se takimi i sotëm nuk është vetëm konsultativ, por edhe përcaktues i afatit kohor për fituesin e zgjedhjeve që të formojë Qeverinë e re të vendit, shkruan FaktePlus.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të pres sot (e hënë) në një takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të biseduar për mandatarin, përkatësisht kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
Ndonëse takimi i sotëm është konsultativë, sipas Kushtetutës afati kohor për formimin e qeverisë do të rrjedh që nga sot në 15 ditë.
Riza Smaka i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se gjatë ditës së sotme Kurti duhet t’ia argumentoj para presidentit Thaçi se është i gatshëm ta formoj qeverinë dhe se e ka emrin e kandidatit për kryeministër.
“Thaçi sot duhet ta merr emrin e kryeministrit dhe sipas rregullave parlamentare emri duhet të jetë Albin Kurti si fitues, por që mund të propozohet edhe ndonjë person tjetër. Kurti duhet ta argumentoj para presidentit se i ka së paku 61 vota. Nëse nuk e ka këtë atëherë del se ka dështuar dhe mandej duhet pas 15 ditëve të paraqitet mandatari tjetër prapë nga partia fituese apo nga koalicioni dhe ai do ta kishte afatin 10 ditë për formimin të qeverisë. Nëse edhe ky do të dështonte atëherë do të merrej vendim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kurti nuk mund të shkoj në takim pa emër”, ka thënë Smaka.
Kurse njohësi tjetër i çështjeve juridike e kushtuesese, profesor Mazllum Baraliu i ka thënë FaktePlus se takimet e sotme brenda LDK-së mund të sjellin një takim urgjent mes Mustafës dhe Kurtit e që sipas tij mund të sillte një marrëveshje të re.
Edhe Baraliu vlerëson se Kurti nuk mund të shkoj në zyrën e presidentit Thaçi pa emrin e kryeministrit.
Ai thotë se Kurti nuk duhet të shkoj “duar thatë’’ tek presidenti dhe duhet të jap premtimin se brenda afatit kohor do ta formojë qeverinë.
“Sipas Kushtetutës sot duhet të ndodhin biseda konsultative me fituesin e zgjedhjeve, në këtë rast Albin Kurti nga partia e tij e cila është certifikuar si parti fituese. Pra konsultimet bëhen, dhe ai nuk do të duhej të shkonte duar thatë te presidenti, sepse nuk është logjike dhe juridike. Pra, ai do të duhej t’ia sqaronte situatën presidentit se si qëndron puna, sepse sot kemi edhe takime brenda LDK mund të ketë qëndrim të ri dhe takim urgjent mes dy liderëve evetual për koalicion. Pra ai do t’i premtonte presidentit se brenda afatit kohor do të formonte qeverinë. Kurti duhet t’i jap sot emër presidentit për mandatar për kryeministër sepse është obligim kushtetues”, ka thënë Baraliu.
Kujtojmë se Albin Kurti, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, aktualisht është kandidati i vetëm për kryeministër të vendit.
Takim i sotëm i Kurtit me Thaçin vjen pas tri ftesave që ky i fundit i kishte dërguar. Dy ftesat e para, të cilat i ka dërguar presidenti Thaçi, më 27 dhjetor të vitit 2019, janë refuzuar nga Kurti, ndërkaq ndaj ftesës së tretë të presidentit, të dërguar më 30 dhjetor, për një takim të mundshëm me 31 dhjetor në orën 10:00, Kurti sërish e kishte refuzuar takimin e propozuar për datën 31 dhjetor dhe kishte propozuar datën 6 janar për zhvillimin e takimit.
“Propozoj të takohemi të hënën, më 6 janar, në një orë të përshtatshme për ju”, i ishte përgjigjur Kurti presidentit Thaçi.
E më 31 dhjetor, presidenti Thaçi, gjatë një konference për gazetarë theksoi se më 6 janar do ta pres në zyrën e tij, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të biseduar për mandatarin për kryeministër.
“Unë mirëpres faktin që pas ftesës së tretë ka pranuar dhe i është përgjigjur ftesës sime”, ka thënë Thaçi.
Takimi ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, është paralajmëruar të mbahet në orën 15:00.
Në rast se në këtë takim, me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, presidenti i Kosovës e cakton mandatarin për kryeministër të vendit, atëherë fillon edhe rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.
Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.
Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të kuvendit.
Megjithatë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, më 30 dhjetor ka thënë se pret që pas konstituimit të Kuvendit, fokusi të drejtohet “në bërjen e koalicionit qeverisës”.
“Çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Më 3 janar, Vjosa Osmani, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se më 6 janar do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, për të diskutuar lidhur me “rrethana e reja”.
“Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri, por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen”, ka thënë Osmani.
Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të të dy partive./FaktePlus