Albin Kurti thyen edhe këtë premtimin
Lëvizja Vetëvendosje e LDK kishin premtuar veç 12 pozita ministrore. Por me arritjen e marrëveshjes thyen premtimin duke e rritur numrin në 15.
Por kjo deri më tani s’është premtimi i vetëm i thyer. Kurti nuk po e mban edhe premtimin sa i përket zv.ministrave, çka e kishte kritikuar jashtëzakonisht shumë ish-kryeministrin Ramush Haradinaj për numrin e madh të tyre.
Pasi arriti marrëveshje me Mustafën Kurti kishte deklaruar se do të jenë gjithsejtë 33 zv.ministra e jo mbi 80 siç i kishte qeveria e kaluar.
Por kryeministri i ri sot e theu edhe këtë premtim, pasi në një konferencë për media tha do të jenë 35.
“Emrat e zv.minsitrave nuk i kemi ende, do ta bëjmë, do të kemi 35 zv.ministra”, tha Kurti në konferencë.
I pyetur se a ka të drejtë t’i shkarkoj ministrat pa pyetur partnerin e koalicionit LDK-në,
“S’besoj që do ketë ministra për t’u shkarkuar. Nuk do të ketë ministra nga LDK e VV, por ministra të qeverisë”, tha ai.