Albin Kurti po flet për një marrëveshje, cila është ajo
Në ditën kur ra Qeveria Kurti thoshte se s’ka parë asnjë marrëveshje, tash thotë se me Grenellin s’u pajtua për marrëvëshjen duke mos e përmendur më tarifën.
Albin Kurti në seancën e thirur për votimin e mocionit të LDK’së për rrëzimin e Qeverisë, thoshte se motori kryesor prapa një organizimit të tillë të parnterit të koalicionit, ishte implementimi i një marrëveshje sekrete Thaçi-Vuçiq që ishte arritur gjatë vizitës së fundit të dy presidentëve në Washington.
Megjithatë, Kurti pavarësisht faktit që thoshte se ekziston një marrëveshje sekrete, thoshte se ende nuk e ka parë.
“A mendoni që po ta kisha unë marrëveshjen sekrete do të mbetej sekrete ajo? Normalisht se do ta kisha publikuar. Por marrëveshja sekrete është sekrete sepse unë nuk e kam”, kishte deklaruar Kurti në atë seancë.
Në fjalimin e tij Kurti insistonte se një marrëveshje të tillë nuk e ka, por se ekziston.
“Në momentin që unë e kam marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiq do t’iau bi, por nuk e kam. Ama ka marrëveshje sekrete. Edhe ajo marrëveshje është motori i kësaj seance”, kishte potencuar tutje Kurti.
Megjithatë edhe pse në Kuvend kishte thënë se nuk e ka parë një marrëveshje të tillë sekrete, në një intervistë për “The Economist”, Kurti ka folur rreth detajeve të një marrëveshje për të cilën nuk është pajtuar me Richard Grenellin.
“Më akuzojnë se jam antiamerikan, sepse në këtë pikë nuk u pajtova me Grenellin. U pajtova me Grenellin se marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme dhe që energjia e re është e nevojshme, por më pas kur erdhi puna te përmbajtja e marrëveshjes ne i patëm këtu dallimet. Nuk e kam konsideruar që ky dallim do të jetë i rëndësisë së madhe, por ashtu doli”, ka thënë Kurti për “The Economist”.
Në këtë intervistë Kurti s’ka përmendur mospajtimet për tarifën.
Kurti gjatë gjithë kohës ka folur për një marrëveshje sekrete Thaçi-Vuçiq që sipas tij do të nënshkruhej menjëherë pasi të hiqej tarifa 100 % ndaj Serbisë. Një gjë të tillë e kishte potencuar edhe në seancën e 12 marsit në Kuvendin e Kosovës ku kishte theksuar se “ka marrëveshje sekrete me Vuçiqin”, e cila do të nënshkruhej “menjëherë pas heqjes së tarifës”.