Alarmon Hoti: Heqja e taksës nuk duhet shtyrë, po dëmton raportin tonë me SHBA
Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se institucionet e vendit nuk duhet të vonohen më heqjen e taskës ndaj Serbisë, pasi kjo shtyrje është duke dëmtuar raportet e Kosovës me SHBA-në.
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës është shtyrë për nesër, por zv.kryeministri Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, tha se taksa duhet të hiqet pa vonesë.
Ai tha se përfshirja amerikane në dialog e ka ndryshuar dinamiken e negocimit.
“Qëndrimi i Sekretarit Mike Pompeo dhe angazhimet e ambasadorit Richard Grenell se sovraniteti i Republikës së Kosovës është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit dhe se Marrëveshja për Paqe mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultoj me njohjen reciproke, janë garanci për pozitën tonë negociuese dhe synimet tona në këtë dialog”, tha Hoti.
Ai shtoi se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, e cila bartë legjitimitetin politik të deleguar nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, përfshirja sa më e shpejt jep kohë për negocim më të favorshëm për marrëveshjen përfundimtare.
“Tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin”, ka thënë Hoti.
Ia ka theksuar se asnjë masë e njëanshme nuk mund të mbroj apo avansoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, është shprehur Hoti.