Alarmi i avokatit
Shkruan: Leon Përlaska – avokat
Kohëve të fundit, më saktësisht vitin e fundit është bërë “trend” formimi i komisioneve parlamentare për hetimin e rasteve, të cilat i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës.
Pa dashtë me shfajsu askënd dhe as me mohu ekzistimin e asnjërit prej rasteve, siç janë rasti i kidnapimit të “Gylenisteve” ose rasti shkatërrimit të PTK-së, konsideroj se hetimi i këtyre rasteve në komisione parlamentare është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në drejtësi.
Pse?
Të dyja këto raste të lartë përmendura janë puro çështje penale, pra kemi të bëjë me vepra penale të kryera nga njerëz të cilët kanë emër e mbiemër dhe që dihen botërisht, e si rrjedhojë dihet se me vepra penale merret sistemi gjyqësor, ku ne aspektin formal hynë Policia, Prokuroria dhe Gjykata.
Fakti se këto raste po i nënshtrohen hetimeve nga komisionet parlamentare, po bën që këto raste të konsiderohen si raste në procedurë e sipër dhe po pritët që nga këto hetime të dalin konkluzione të caktuar, konkluzione të cilat sipas mendimit tim nuk do të dalin asnjëherë.
Si rrjedhojë e kësaj, duke e ditur që janë në hetim e sipër nga komisionet, prokuroria po e ka komoditetin qe të mos merret fare me këto çështje, pra nga kjo rezulton se përmes komisioneve parlamentare po bëhet filtrimi i kriminalitetit, ku në këtë filtër po mbetët pisllëku i madh e nga filtri po pretendohet që të nxirret “uji i kulluar”.
Pra, Kosova po vendos “standarde” të reja në parimin e ndarjes së pushteteve, pasi qe këtu po shihet se komisionet parlamentare për hetime po ja “ndihmojnë pak” sistemit gjyqësor në hetimin dhe ndjekjen e kriminalitetit, pra këtu po behët një kombinim interesant mes sistemit legjislativ dhe sistemit gjyqësor.
Konsideroj se gabim më i rënd është nëse formohet komision hetimor i Kuvendit për rastin e veteraneve të UÇK-së, duke marrë parasysh se ky rast është në hetim e sipër nga ana e prokurorisë.
E ritheksoj se e gjithë kjo shkon vetëm në dëm të demokracisë dhe të drejtësisë.