Alarmante – Mijëra persona përdorin drogën në Kosovë (Video)
Të jesh më “IN” e t’i takosh një grupi të caktuar, ka bërë që shumë fëmijë nëpër shkolla e që i takojnë grupmoshave nga katërmbëdhjetë e deri në tetëmbëdhjetë vjeç të jenë përdoruesit më të mëdhenj të substancave narkotike.
Edhe pse vazhdimisht është punuar në vetëdijesimin e të rinjve për parandalimin e konsumimit të drogave, prapë se prapë ky mbetet një problem në rritje. Statistikat tregojnë se tashmë situata është alarmante në Kosovë.
Konsumimi i narkotikëve vetëm sivjet u mori jetën e katër personave, ndërsa që nga paslufta në Kosovë llogaritet se kanë vdekur rreth 100 persona.
Drejtori i Qendrës Rehabilituese “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka treguar për FaktePlus llojin e drogës që po përdoret më së shumti nga të rinjtë.
“Unë e shoh problematike përdorimin e cilësdo drogë që përdoren nëpër shkolla nga nxënësit, e posaçërisht në këtë rast marihuana edhe pse mendohet që kjo nuk është problematike. Por te fëmijët dhe nxënësit është problematike, ky numër është me të madhe duke u rritur dhe ky është një shqetësim jashtëzakonisht i madh. Për më tepër më shqetëson jashtëzakonisht shumë se nuk kemi reagim në këtë fenomen, nuk kemi programe parandaluese”, tha Blakaj.
Ai thekson se analizat e bëra në dy vitet e fundit tregojnë se numri i përdoruesve të drogës veçse po rritet.
“Dy vitet e fundit, analizat po na tregojnë që jemi duke shkuar tepër lartë me përdorimin e drogës. Këto dy vitet e fundit na shqetësojnë dhe sipas nesh, po i afrohemi asaj që quhet alarmante. Po i afrohemi alarmantes. Ne nuk duhet të presim që dikush të vdes dhe të themi se është situata alarmante. Kërkohet sa më shpejt intervenim shoqëror…. numri i përgjithshëm i atyre që përdorin drogën duke futur edhe ata që përdorin drogën është 35 mijë. Pesë mijë prej tyre janë problematik”, thekson ai.
Pas përdorimit të marihuanës, është droga e tipit kokainë që ka nisur të përdoret me të madhe në Kosovës, ani pse kjo drogë është jashtëzakonisht e shtrenjtë.
E psikologja Gentiana Kuqi-Tishukaj ka treguar për FaktePlus indikatorët të cilët po shtyjnë të rinjtë të përdorin drogën.
“Ndër faktorët kryesor që mundet me i shty të rinjtë sot me përdor drogën janë dëshira për me i taku grupit, dëshira për me qenë “IN”, për me qenë në modë, kurioziteti dhe shumë faktorë tjerë që munden me i shty. Janë edhe traumat e ndryshme familjare ka dhe raste kur vetë familja janë përdorues të drogës apo substancave të ndryshme narkotike”, tregon Kuqi-Tishukaj.
Po ashtu, duhet thënë se problematike mbetët që edhe gjatë kësaj vere në klubet e natës e pranishme ka qenë ekstazia dhe metamfetamina, për çka as vetë përdoruesit e këtyre llojeve nuk janë në dijeni për rrezikshmërinë që i kanos ky lloj i drogës./FaktePlus