Alarm në Real Madrid, me shumë mungesa kundër Real Betis
Shanset e Santiago Solarit për t’u rikthyer te fitorja në La Liga janë zbehur nga një listë e gjatë me lojtarë të lënduar dhe suspenduar për ndeshjen e së dielës në udhëtim ndaj Real Betisit.
Real Madridit do t’i duhet të udhëtojë me mungesa të mëdha drejt Sevillës për t’u përballur me Betisin të dielën, pasi gjashtë lojtarë janë ende duke u riaftësuar nga lëndimet dhe nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Solari.
Ndërkohë, Vinicus u largua nga seanca stërvitore e së premtës për shkak të gripit. Derisa gripi nuk pritet ta lërë atë jashtë fushe të dielën, mund të ketë ndikim në paraqitjen e tij në një kohë kur braziliani e ka arritur kulmin e lojës së tij dhe është njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm për Solarin.
Toni Kroos, Marco Asensio, Marocs Llorente, Gareth Bale dhe Mariano do ta vazhdojnë rekuperimin dhe nuk do të udhëtojnë drejt Sevillës.
Pas barazimit 2-2 me Villarrealin dhe humbjes 2-0 ndaj Sociedadit në dy ndeshjet e para të 2019-s, presioni do të jetë mbi Solarin për ta gjetur rrugën e fitores përsëri në La Liga.
Megjihtatë, me një listë të gjatë të të lënduarve dhe me një Vinicius me grip, fitorja ndaj Betisit – skuadrës e cila tashmë e ka tronditur Barcelonën në “Camp Nou” – nuk do të jetë aspak e lehtë për Solarin dhe lojtarët e tij.