Aktivisti i arrestuar nga truprojat e Thaçit ka një porosi për Qeverinë Hoti
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Veron Hasani që u arrestua para dy ditësh për shkak se nga sheshi bërtiti dhe e quajti hajn presidentin e vendit, ka një porosi për Qeverinë e re.
Ai këtë porosi e ka bërë përmes një publikim në rrjetin social Facebook, ku bëri thirrje për mbështetje të fjalës së lirë.
“Kur qytetarët shprehen me zërin e tyre në vende publike, pushteti shndërrohet në diktaturë kur nëpërmjet brutalitetit e dhunës tenton të shtyp lirinë e fjalës”, shkruan Veron Hasani.
Sipas tij, jo vetëm presidenti por edhe Qeveria Hoti po tregon se ka qasje të dhunshme ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Së fundmi ai tha se është arrestuar edhe aktivisti Besnik Mujeci, pasi pranë ndërtesës së Qeverisë, ka thirrur “poshtë Serbia dhe Lista Serbe”
Publikimi i plotë:
Në mbështetje të shprehjes së lirë!
Kur qytetarët shprehen me zërin e tyre në vende publike, pushteti shndërrohet në diktaturë kur nëpërmjet brutalitetit e dhunës tenton të shtyp lirinë e fjalës.
Pas dy ditësh të Qeverisë Hoti fillimisht më arrestuan mua e pastaj edhe qytetarin Besnik Mujeci pasi kishte thënë “poshtë Lista Serbe.”
Qasja e dhunshme e qeverisë Hoti ndaj qytetarëve të Republikës është e papranueshme dhe e patolerueshme.
Ne mund të shprehemi lirshëm, ne do ta themi të vërtetën tonë. E vërteta jonë do triumfoj pavarësisht dhunës së tyre. Zëri ynë përveçse është liri e shprehjes është dhe shprehje e lirisë.