Aktakuzë për personin që pengoi policët në kryerjen e detyrave zyrtare
Prokuroria Themelore në Prizren, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet H.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri H.Sh., me datë 18.02.2020, rreth orës 16:00, në rrugën “Nora Kelmendi” në Prizren, me kanosje serioze, pengon personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ai thuhet se ka penguar zyrtarët N.B., V.K., dhe J.R, në atë mënyrë që pasi zyrtarët policorë nga Njësiti për Reagim të Shpejtë – NJRSH, gjatë patrullimit ndalojnë veturën e markës “Mercedes Benz”, në të cilën gjatë kontrollimit arrestojnë dy persona të dyshuar B.Sh., dhe S.R., për armëmbajtje pa leje.
Në ato momente, sipas njoftimit të Policisë në vendngjarje kalon i pandehuri H.Sh., dhe kërkon sqarime nga zyrtarët policorë për arrestimin e dy shokëve të tij.
“Të njëjtit, i tërhiqet vërejtja dhe urdhërohet që të largohet dhe të mos pengoj zyrtarët policorë, por edhe përkundër kësaj, i pandehuri nuk i zbaton urdhrat dhe vazhdon t’i kanosë me fjalë zyrtarët policorë.
Pas fjalëve kanosëse, zyrtarët policorë të njëjtin e arrestojnë, ku gjatë kontrollimit tek i njëjti gjejnë një mjet të mprehtë – brisk, të cilin e mbante me vete”, thuhet nga Policia.
Me këto veprime, i pandehuri H.Sh., ka përmbushur elementet e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë./FaktePlus