Aktakuza ndaj presidentit Thaçi – çka ndodh me postin e Presidentit?
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli të cilët akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Sipas një njoftimi të publikuar, ata dyshohet po ashtu se kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën Speciale dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar me njohësin e çështjeve që kanë të bëjnë me kushtetutën dhe me ligjet, Mazllum Baraliun, për të kuptuar se ç’ndodh tash e tutje me postin e presidentit.
Baraliu ka thënë për FaktePlus se çështja varet nga pesha e aktakuzës dhe në këtë rast Thaçi do të duhet të ftohet atje ose të privohet nga liria.
“Ai do të duhej të ftohej atje ose të privohej. Në rastin e privimit nga liria eventualisht apo vet shkuarja e tij vullnetare atje, do të kishte për pasojë dorëheqjen. Nëse jo, ai shkon atje dhe pasi privohet atëhere do të duhej që të trajtohej çështja e presidentit në përputhje me kushtetutën”, ka thënë Baraliu.
Sipas tij, nëse Thaçi arrestohet atëherë drejtimin e vendit do të duhej ta merrte përkohësisht kryetarja e kuvendit.
“Meqë nuk është ai aty, e zëvendëson kryetari i kuvendit. Pra kryetari i kuvendit do të duhej ta merrte përkohësisht drejtimin e vendit, pra ushtrimin e detyrës së presidentit. Kjo përafërsisht do të duhej të ishte procedura që mund të ndodhë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, shtoi tutje ai.
Profesori i çështjeve kushtetuese shton se për vendime të mëtutjeshme duhet pritur një vendim i formës së prerë nga Gjykata.
“Derisa nuk vërtetohet fajësia dhe nuk ka një aktgjykim apo verdikt të formës së prerë, konsiderohet i pafajshëm. Nuk mundet të presupozohet fajësia, përkundrazi prezumimi i pafajësisë është parim në drejtësi penale dhe derisa dikush nuk vërtetohet me prova dhe dëshmi, me procedurë përkatëse penale si i dyshuar dhe i fajshëm për një vepër penale dhe nuk dënohet në formën e prerë nga Gjykata e instancës së fundit, e që në këtë rast nuk ka mundësi ankimimi brenda saj atëherë konsiderohet kushdoqoftë i pafajshëm”.
Kujtojmë që Thaçi kishte thënë se nuk do të jepte dorëheqje nëse ftohej për intervistim nga Gjykata Speciale. Këto deklarata i kishte bërë në një emision televiziv. Megjithatë ndaj tij është ngritur sot aktakuzë.
Aktakuza vjen tri ditë para udhëtimit të delegacionit kosovar në Washington për të biseduar me delegacionin serb për çështje ekonomike, nën ndërmjetësimin e ShBA-së./FaktePlus