Aksioni i AAK-së para Qeverisë: Albinin e ka marrë malli për mallrat serbe
Pankartat me mbishkrime, “Na ktheni të zhdukurit, jo mallrat serbe”, “Albin, Serbia kalon apo nuk kalon?, “Me largimin e taksës, mua më largoni nga puna”, “S’e japim tregun pa njohje”, “Ku është kërkim falja, ku janë të pagjeturit?”, u vendosën në rrethojat e Qeverisë së Kosovës nga të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ky aksion e të rinjve të AAK-së, erdhi pasi që Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin po duan ta heqin taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës që e kishte vendosur kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa ai ishte kryeministër i Kosovës, raporton FaktePlus.
Nga aty të rinjtë e AAK-së thanë se Albin Kurti është përmalluar për mallrat serbe. Të rinjtë u kujdesën edhe për këtë. Ata para objektit të Qeverisë ia lanë në mënyrë simbolike edhe një paketim të plazma keksëve nga Serbia.
E ky aktivitet nuk do të jetë i vetmi. Madje AAK ka thënë se nëse Qeveria Kurti do të largojë taksën ndaj produkteve serbe, atëherë do të marrin masa tjera, duke mos përjashtuar edhe hedhjen me vezë si dhe aktivitet që kanë ndërmarr më parë.
Ndërkohë që në këtë aktivitet morën pjesë edhe deputeti i AAK-së Shkumbin Demalijaj dhe Bekë Berisha.
Ndërkaq, AAK në paraditen e sotme mbajti edhe tryezën e radhës për taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë.
Sipas përfaqësuesve të AAK-së, zëvendësimi i taksës me reciprocitet, ashtu siç është paralajmëruar nga Kurti, është vështirë i realizueshëm.
Gazmend Abrashi nga AAK ka thënë se vendosja e taksës ishte përgjigje për Serbinë, derisa ka shtuar se nga ajo është rritur numri i të punësuarve.