Aksidenti i autobusit nga Kosova në Austri, si ndodhi dhe krejt çka dihet deri tash
Rreth orës 03:00 të mëngjesit, një autobus nga Kosova është aksidentuar në Salzburg të Austrisë. Viktima s’janë regjistruar, por lëndime kanë marrë rreth 20 persona, që sipas autoriteteve austriake, janë turistë nga Kosova. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj se çka dihet rreth këtij aksidenti.
Një autobusi nga Kosova, që po udhëtonte drejt Austrisë, i ka mbetur rruga në gjysmë. Autobusi është aksidentuar në orët e para të mëngjësit në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës.
Në momentin e aksidentit raportohet se në autobus ndodheshin 28 persona, 19 prej të cilëve kanë marrë lëndime. Tre prej tyre kanë lëndime më të rënda.
Kryqi i Kuq dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas aksidentit.
“Aktualisht kemi informacione për tre të plagosur rëndë dhe 16 të plagosur lehtë”, tha për APA, zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Roberta Thanner.
“Deri më tani nuk kemi raportime për viktima”, deklaroi ajo.
Pas aksidentit, autoritetet thanë se në vendin e ngjarjes kanë arritur vullnetarë, pjesëtarë të Kryqit të Kuq dhe të ndihmës së parë.
Vendi ku ka ndodhur aksidenti është mbyllur për trafik dhe autobusi gjendet ende në vendin e ngjarjes.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës. Autobusi me rreth 25 pasagjerë, me gjasë është përplasur në mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber.
Dyshimet e para për aksidentin: Shoferin e zuri gjumi ose defekt teknik
Nga Policia austriake kanë folur për dyshimet e para rreth aksidentit të autobusit nga Kosova në Salzburg të Austrisë, ku raportohet për rreth 20 të lënduar.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale, Hans Wolfgruber, dyshimet janë se ose shoferin e ka zënë gjumi ose ndonjë defekt Teknik e ka shkaktuar aksidentin.
Ndërkohë, Komandanti i autoritetit të shpëtimit të qarkut të Flachgau, Hermann Garstragser, tha se në autobus ndodheshin 28 persona.
Sipas tij, tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
“Ne u lajmëruam në orën 03:08 dhe autobusi kishte 28 persona. Në aksident mbetën të plagosur rëndë tre persona dhe 16 të lënduar lehtë, nëntë persona mbetën të palënduar. Nga tre të plagosurit rëndë, tre janë dërguar në spitalet e Salzburgut”, ka thënë Gerstgraser.
Ai ka thënë se personat që ndodheshin në autobus janë turistë nga Kosova.
Autobusi që u aksidentua në Austri është i kompanisë “Armend Tours” nga qyteti i Gjakovës.
Gazeta Express ka telefonuar në këtë kompani por nuk kanë dhënë detaje lidhur me aksidentin ku raportohet për të paktën 20 persona të lënduar.