AKR kërkon rinumërim të votave dhe dënim të vjedhësve
Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka reaguar pas skandalit për vjedhje të votave nga bashkëshorti i kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla.
Makolli ka thënë se Manipulimi(vjedhja) e votave, është një ndërmarrje kriminale, dhe se AKR ka shprehur shqetësim menjëherë pas përmbylljes së votimeve.
Tutje, ai ka thënë se rinumerimi duhet te ndodhe dhe ky proces do të nxirrte në sipërfaqe manipuluesit e votave të cilët pastaj do merrnin denimin maksimal.
“Manipulimi(vjedhja) e votave, është një ndërmarrje kriminale. AKR-ja, shqetësimin për manipulimin e votave të kandidatëve e ka shprehur menjëherë pas përmbylljes së votimeve. Manipulimi i votave nga disa komisionerë të kriminalizuar mbetet sfida më e madhe e procesit zgjedhor demokratik. Rinumerimi duhet te ndodhe. Ky proces do të nxirrte në sipërfaqe manipuluesit e votave të cilët pastaj do merrnin denimin maksimal”, ka shkruar Makolli.
Ky reagim erdhi pas publikimit të hulumtimit nga Gazeta Insajderi ku shihet se ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, si duket nuk mori mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por ‘këtë problem’ e zgjidhi bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, duke i blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe kanë favorizuar Haradinaj Stubllën.
Gazeta Insajderi ka siguruar një video-incizim i cili zbulon përfshirjen e bashkëshortit të kryediplomates kosovare në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Arbër Krasniqi, një nga të përfshirët në videoincizim, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro, por ata kanë marrë vetëm katër mijë prej tyre.
Komisionerët në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve manipuluan me rezultatet, duke vjedhur votat e kandidates së AAK-së për deputete, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të Albana Bytyqit, vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë votat e nevojshme për ulësen e deputetit kryediplomates në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla.