AKR do e votojë Qeverinë Hoti, por ka një kërkesë për LDK-në
Fatmir Matoshi nga Aleanca Kosova e Re deklaroi se do e votojnë Qeverinë Hoti.
Matoshi tregoi se nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkojnë vetëm falënderim.
“Nuk kemi ndonjë qëndrim që të jemi brenda këtij koalicioni, AKR ashtu siç ka votu Qeverinë Kurti ashtu do e votojë edhe Qeverinë Hoti”.
“Padyshim se do e votojmë Qeverinë Hoti, nuk është vënë në dyshim asnjëherë që deputetët e AKR-së do e votojnë Qeverinë Hoti – do i japim mbështetjen e formimit të një qeverie të re ashtu siç kemi votuar edhe qeveritë e kaluara”, deklaroi Matoshi.
“Vetëm një falënderim apo mirënjohje kërkojmë nga LDK-ja gjë që nuk e ka bërë Vetëvendosje – as edhe një telefonatë nuk e kemi marrë pas votimit”, tha ai në Klan Kosova.
Mediumi gjatë ditës raportoi për takimin e Presidentit, Hashim Thaçi me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.
Sipas Matoshit me lehtësimin e masave është normale që të takohen.
“E natyrshme ne tash kemi lehtësim të masave dhe po arrijmë të takohemi me të tjerët, Pacolli është ish-president dhe ish-ministër i Jashtëm ndërsa Thaçi është president aktuar dhe një takim i tillë është më se normal se besoj që ka pse komentohet nga të tjerët”.