AKP publikon projektin “Zhvillimi Biznesor i Minierës së Goleshit”
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton opinionin për publikimin e projektit “Business Development of the Goleshi Mine” (Zhvillimi Biznesor i Minierës së Goleshit).
Projekti është financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), pas bashkëpunimit shumëvjeçar mes AKP dhe institucioneve Gjermane, përmes Njësisë së Trepçës AKP. Punimet studimore të projektit janë realizuar nga ekspert të kompanive “Inros Lackner” dhe “EC Terra”, kanë filluar në tetor 2018, dhe kanë përfunduar në dhjetor 2019.
Duke trajtuar MIM Goleshin si aset strategjik, Agjencia ka kërkuar studim për konfirmim të opinionit nëse kjo ish ndërmarrje shoqërore ka potencial zhvillimor me mundësi të krijimit të vendeve të punës dhe të hyrave, studim ky – nga ekspertë me përvojë dhe kredibilitet ndërkombëtar, i cili do të shqyrtoj mundësitë për një projekt profitabil, social, dhe mjedisor.
Pas përfundimit të projektit, Agjencia ka përfituar të dhëna të reja për mundësitë e shtimit të vlerës të MIM Goleshit, dhe vlerëson se këto të dhëna duhet ti bëjë të qasshme edhe për publikun. Për këtë qëllim ka vendosur të publikoj versionin origjinal të këtij studimi në web faqen e AKP:http://www.pak-ks.org/page.aspx?id=2,121, në mënyrë që të shpalos mundësitë si për institucionet vendore ashtu edhe për investitorët e interesuar, duke prezantuar mundësitë që ofron Goleshi, duke veçuar mundësinë relativisht të shpejtë për kthim të investimeve.
Në nëntor 2019, Agjencia ka prezantuar MIM Goleshin në Konferencën “Mines & Money” në Londër, dhe me këtë rast interesi i investitorëve për Golesh ka qenë i konsiderueshëm.
Agjencia ofron këtë studim për Institucionet e Republikës së Kosovës dhe investitorët e interesuar që kanë kapacitet për implementim të projektit në përputhshmëri me raportin e publikuar, për ta shfrytëzuar atë si pikënisje për inicim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Meqë studimi është përpiluar në gjuhën angleze, dhe përmban terme strikte teknike, që mund të humbin kuptimin gjatë përkthimit, studimi publikohet në versionin origjinal të tij.
Agjencia falënderon Qeverinë Gjermane për ndihmën dhe financimin e shumë projekteve madhore në të kaluarën, si dhe ndihmat e shumta në shkëmbimin e përvojave, dhe dhënies së këshillave të çmueshme dhe praktike nga qeveria Gjermane.
Agjencia, gjithashtu falënderon Ambasadën Gjermane në Kosovë për përkrahjen e pa rezervë në kërkesat e Agjencisë për projekte zhvillimore, si dhe partnerin implementues të Projektit të fundit Studimor – Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – GIZ GmbH (Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), për punën profesionale dhe të palodhshme. Gjithashtu falënderojmë stafin e Goleshit për ndihmën dhe përkrahjen./FaktePlus