AKP-ja jep një lajm të mirë për punëtorët e Fabrikës së Amortizatorëve
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se aty është vendosur që të jepet me qira ndërmarrja shoqërore “Metaliku”.
Përveç kësaj, bordi i drejtorëve ka miratuar edhe transaksionet e shitjes së aseteve përmes likuidimit si dhe ka miratuar listën e aseteve të luajtshme të ndërmarrjes shoqërore “Rilindja, si pjesë e listës së shitjes.
Po ashtu, Bordi ka miratuar ankesat e listave të 20% të punëtorëve të ndërmarrjeve “Fabrika e Amortizatorëve, “Mlladost” në Shtërpcë dhe “Pertrans” në Pejë.
Agjencia Kosovare e Privatizimit do të duhet t’u paguajë edhe rreth 21 milionë euro punëtorëve të Amortizatorëve, në emër të të ardhurave personale për periudhën 1990-1999.
Këto mjete do të duhet t’u paguhen punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve, të cilët e kanë fituar betejën me AKP-në në Gjykatën Themelore (ish-Komunale) të Prishtinës dhe së fundmi edhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. /FaktePlus/