Ajri i ndotur në Kosovë po rrit çdo ditë numrin e pacientëve në QKUK
Ajri në Kosovë tashmë ka arritur nivelin e rrezikshmërisë për shëndetin e qytetarëve. Matjet e fundit po tregojnë se si Prishtina edhe qytete tjera të Kosovës shpeshherë janë me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë.
E si rrjedhojë e nivelit të lartë të ndotjes kohën e fundit është rritur edhe numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalet e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale.
Doktori Skender Baca, i cili punon në Klinikën e Pulmogjisë tregon se sa pacientë kanë pranuar kohën e fundit për shkak të ndotjes së arjit.
“Në ambulancën tonë specialistike çdo ditë i kontrollojmë diku 40-50 pacientë e gjatë muajit 10-15 pacientë ankohen drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit. Ankesa e tyre është që sëmundja e tyre kronike obstruktive e mushkërive është përkeqësuar për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo do të thotë që ata ankohen se kur kanë dalë jashtë, kanë filluar të përkeqësohen gjendja me kollë, këlbazë, temperaturë, ethe, etj, dhe këtu gjithmonë kryqëzohen edhe komponentët tjerë që janë virozët ose gripi, po grip ende nuk kemi fatmirësisht në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ditë më parë ka shprehur shqetësimin rreth nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë, sidomos në Prishtinë dhe efektet e tij tek qytetarët.
Lendita Mehmeti nga IKSHPK tregon pse ndotja është shumë e rrezikshme për qytetarët.
E se cilësia e ajrit në Kosovë nuk është e mirë e pohojnë edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Zyrtari i këtij instituti, Shkumbin Shala ka treguar për FaktePlus se cilat janë shkaktarët e kësaj ndotje.
Kurse për këtë problematikë nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk janë përkrahur nga Qeveria për të vendosur masa mbrojtëse në të gjithë Kosovën.
“Ne si komunë e Prishtinës në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe kemi bërë kërkesë në Qeverinë e Kosovës që të ketë masa në gjithë Kosovën, sepse asnjërin nuk mund ta ndajmë në harta, është i njëjti ajër që shpërndahet në gjithë Kosovën. Kemi vërejtur se sa herë që ka mjegull në Prishtinë, ndotja bie poshtë dhe prekemi të gjithë. Kjo ndodhë për shkak të mungesës së reshjeve të shiut dhe hapësirave gjelbëruese”, thonë nga komuna.
Por, nga Komuna e Prishtinës kanë treguar se tashmë se afër realizimit të projektit që quhet “TE PEMA” dhe i cili ka disa pika në kryeqytet përmes të cilave bëhet pastrimi i ajrit.
Kujtojmë se raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) theksojnë se ndotja e ajrit shkakton çdo vit vdekjen e rreth 7 milionë personave në botë. Ndërkaq, raportet e publikuara më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se janë rreth 600.000 fëmijë në botë që vdesin çdo vit nga ajri i ndotur./FaktePlus