Ahmeti: Të premten mund të flasim që Prishtina të dalë nga karantina
Kryetari i Komunës së Prishtinës,Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk do aspak që emri i tij të përfshihet në çështje si ajo e formimit të Qeverisë së re dhe as pjesëmarrjen e tij të mundshme në ekzekutiv.
Ai ka thënë se prioritet për të është përballja me koronavirusin dhe për këtë ka thënë se është i gatshëm që t’u ndihmojë të gjithëve.
Ahmeti ka thënë se në ditët në vijim pritet që kryeqyteti të dalë nga karantinimi.
“Në dy tre ditët e fundit pritet ta kemi majën me koronavirus. Karantina është bërë se i kemi pasë 20 raste. Tash meqenëse numri është i vogël besoj – kam folur me ministrin Vitia – rekomandimi është që është të presim 3-4 ditë”.
“Ka e premtja besoj se mund të flasim për heqjen e karantinës. Edhe pas kësaj duhet të respektohen masat, njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të lëvizin sa më pak dhe disa veprimtari ekonomike mund të vazhdojnë punën si ndërtimtaria dhe pas 4 majit na presin relaksimet e masave.”.
“Pastaj duhet t’i hapim dyqanet zejtare… Dorëzat dhe maskat do të na shoqërojnë gjatë 12 muajve”.
Ahmeti ka theksuar se është vështirë e besueshme se nxënësit e Prishtinës që mund t’iu kthehen bankave shkollore së shpejti.