Ahmeti nuk tregon kur prezantohet Platforma për bisedimet me Serbinë
Sot ka qenë dashur që Ekipi negociator ta prezantojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun me Serbinë, e cila nuk pritet të përkrahet nga partitë opozitare, përveç PSD-së së Shpend Ahmetit, parti e cila është bërë pjesë e delegacionit për negociata.
Ka kaluar gati një muaj nga koha e paraparë me rezolutë që ekipi negociator do të duhej të dilte me platformën për dialogun.
Me gjithë këto vonesa këto ditë pritet që në Kuvendin e Kosovës të prezantohet kjo platformë.
Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i këtij ekipi, ka paralajmëruar para disa ditëve se të martën (pra sot) do ta dorëzojnë në Kuvend platformën, ku shpreson që do të ketë përkrahje nga deputetët.
Por, Ahmeti nuk ka dhënë më ndonjë informatë për fatin e platformës dhe këtë nuk e ka në agjendë për ditën e sotme. Ai për sot ka paralajmëruar se do të jetë në një gjykatë, ku edhe do të dorëzojë një padi, e për të cilën nuk ka dhënë detaje.
Si do qoftë si për Projektligjin për dialogun, as platformën nuk pritet se do ta mbështesin dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje./FaktePlus