Ahmeti: Mendimet e Vuçiqit nuk kanë kurrfarë peshe juridike
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka thënë se sikur të gjithë të tjerët edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është mirë që ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
Presidenti i Serbisë ka shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog, duke thënë se do të shkojnë në Bruksel atëherë kur Kosova pushon së provokuari, siç ka thënë ai me miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”.
Por, kreu i PSD-së që njëherit është edhe bashkëkryesues i delegacionit për bisedime, Shpend Ahmeti tha se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale.
“Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës”, ka thënë ai.
Ahmeti ka shtuar se Kosova është e gatshme të dialogojë dhe për këtë është duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën).
“Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit”, theksoi Ahemti.
Sipas tij, Kosova në këtë dialog shkon për ta përmbyllur çështjen e hapur me Serbinë, e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë”.