Ahmeti: Berishaj do të duhej të dorëhiqej, qytetarët çkyçen kur i dëgjojnë teoritë e opozitës
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e sheh një njollë në skandalin financiar në Slloveni ku implikohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ahmeti ka shkruar se “nuk e di se a ka dorëzuar Martin Berishaj 600 mijë euro në Slloveni”, por thekson paraprakisht se “njolla në fanelën e bardhë shihet më shumë. Këtë fjali thotë se e kanë thënë shpesh në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Njolla në fanelën e bardhë shihet më shumë – kemi thënë shpesh në VV. “Prandaj duhet të jemi dhjetë herë më të kujdesshëm kur jemi në qeveri” dëgjohej shpesh në mbledhjet me numra romak në Këshillin e Përgjithshëm. Nuk e di se a ka dorëzuar Martin Berishaj 600 mijë euro në Slloveni. Por që është njollë – është – qoftë edhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë”, ka shkruar Ahmeti.
Krahasimi me qeveritë e kaluara është “si fanela e bardhë me atë me ngjyrë”, thotë ai, duke theksuar se “që kjo mos të bëhej kaq e madhe, z. Berishaj do të duhej të dorëhiqej”.
“Edhe në qoftë se është i pafajshëm, që ti hap rrugë hetimeve”, shkruan Ahmeti, ndërsa ka një këshillë edhe për kryeministrin dhe presidenten.
“E presidentja e posaqërisht kryeministri nuk kanë nevojë ta mbrojnë verbërisht, por vetëm të thirren në hetim e qartësim. Kështu edhe pastërtia do të ishte më e madhe”.
Ai e kritikon edhe opozitën për “zgjatim të tepërt” në akuza.
“Teoritë e opozitës për një skemë ndërkombëtare energjetike janë zgjatim i tepërt – stretching it to far thojnë anglisht. Edhe po të jetë z. Berishaj “sekser” i Hamoviqit e Fazliqit, vështirë se është skemë e organizuar nga Albini. Prandaj edhe qytetarët e posaqërisht votuesit e qeverisë çkyçen kur dëgjojnë teori të tilla nga Abelardi et co. Opozita do të fitonte shumë më shumë pikë po të fokusohej në shkeljet ligjore në Kosovë nga Z. Berishaj dhe me të drejtë në hetimin parlamentar për ngjarjet në energjetikë. Në këtë moment edhe qeveria do të përfitonte shumë nga ky hetim”, ka shkruar Ahmeti.