AGK: KPM-ja pa argumente bindëse për ta ndryshuar Kodin e Etikës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndonëse me vonesë, ka pranuar përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM), lidhur me shqetësimet e ngritura ditë më parë rreth propozimit të KPM-së për ndryshimin e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele në Kosovë dhe Draft Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audio-vizuele.
AGK së bashku me juristen e mediave, Flutura Kusari, vlerësojnë se të dyja dokumentet përmbajnë nene problematike të cilat cenojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e medias.
“Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me Draft Kodin e Etikës i cili rikthen ndalimin e raportimit nga gjykatat. Ju rikujtojmë që Kodi i Etikes i vitit 2010 e ndalonte në tërësi raportimin nga gjykata. Kodi i Etikës i viti 2016, që është ende ne fuqi dhe është hartuar me ekspertizë ndërkombëtare, kishte eliminuar nenet që pengonin raportimin nga gjykatat. Me Draft Kodin e Etikes, KPM ka rikthyer ndalimin e raportimit nga gjykatat. Ne po ashtu vazhdojmë të kemi shqetësime për disa nga nenet e propozuara në Draft Rregullore”, thuhet në njoftimin për media.
Në letrën e KPM-së nuk janë ofruar argumente të mjaftueshme ligjore që do të arsyetonin ndryshimin e Kodit të Etikës apo Draft Rregullores. Letra si e tillë, sipas AGK-së, nuk ofron referencë të rasteve konkrete të shkeljeve etike në media të monitoruara nga KPM-ja, të cilat raste do të dëshmonin që mediat nuk kanë mundur të mbahen përgjegjëse për shkak të mungesës së bazës ligjore.
AGK konsideron se mbetet ende e paqartë nëse KPM ka bërë ndonjë analizë ligjore – si lloj vlerësimi ex-post për të vlerësuar objektivat, efektet e ndërmarra, kostot dhe përfitimet – e akteve nënligjore në fuqi.
“Ajo po ashtu nuk tregon se në cilat standarde ndërkombëtare është bazuar kur ka propozuar ndryshimet ligjore dhe po ashtu KPM-ja pranon që nuk ka kërkuar ekspertizë ligjore ndërkombëtare, të cilën mekanizëm e ka në dispozicion. Në një situatë të tillë, kur kemi mungesë të argumenteve ligjore bindëse nga ana e KPM-së, aktet nënligjore të përmendura më sipër, sipas nesh nuk duhet të amandamentohen duke u nxituar. Ndryshimet ligjore siç janë propozuar aktualisht – të kundërshtuara fuqishëm edhe nga organizatat kryesore të shoqërisë civile – do të cenojnë seriozisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Kosovë”, vazhdon njoftimi.
AGK thotë se do të angazhohet në konsultimet publike të akteve nënligjore të KPM-së në rastet kur pajtohen në parim me qëllimin e akteve nënligjore, ndërsa kërkon nga KPM që të iniciojë vlerësim ex-post të akteve nënligjore për të identifikuar efektet e akteve nënligjore, problemet eventuale të zbatimit dhe aspektet që duhet rishqyrtuar.