Agjenda e takimeve në Berlin: Pas kancelarit gjerman, Kurti e Vuçiq takojnë Lajçakun
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë në selinë e tij në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në qendër të të dy takimeve veç e veç do të jenë “qëndrimet ndaj luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve”, tha të premten zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner.
Detaje dje ka dhënë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, në takimin e sotëm në Berlin do të diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi.
Takimi me Kurtin pritet të nisë rreth orës 15:00, ndërsa ai me Vuçiqin rreth orës 17:30.
Pas takimit kancelari gjerman Scholz do të ketë konferencë të përbashkët me Kurtin nga ora 16:00.
“Nesër, kancelari Scholz do të presë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në takime të ndara në Berlin. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, do të ketë konferencë të përbashkët nga ora 16:00”, njoftoi Rohde.
Pos Kurtit e Vuçiqit, në Berlin zbarkon edhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai do t’i takojë në mbrëmje Kurtin dhe Vuçiqin.
Ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiq që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.
Para takimit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka tremë nga takimi i sotëm në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe se nuk pret bisedë të lehtë.