Agim Veliut i teprojnë miliona euro të buxhetit
Në komunën e Podujevës që drejtohet nga Agim Veliu i LDK-së, gjatë vitit të kaluar kanë mbetur shumë projekte pa përfunduar dhe kjo për shkak se nuk është menaxhuar si duhet buxheti komunal.
Derisa qytetarëve u thuhet se s’ka buxhet për realizim të projekteve, drejtuesit e kësaj komune nuk kanë ditur t’i shpenzojnë as paratë që i kanë pasur në “kuletë”.
Opozita në komunën e Podujevës po thotë se nga buxheti i vitit të kaluar kësaj komune i kanë tepruar hiç më pak se 2 milionë euro.
Fitim Muçolli, këshilltar komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka ngritur dyshime për buxhetin e komunës.
“Buxheti i aprovuar për vitin 2018 ishte 21,372,177 € dhe nga kjo shumë për investime kapitale ishin të parapara 6,489,514€. Por më shqetësuesja është shuma e lartë e suficitit buxhetor të Komunës sonë, i cili për vitin 2018 sillet rreth 2 milionë euro. Pra, të gjitha këto para që ishin paraparë të investoheshin në projekte të ndryshme kanë mbetur të pashfrytëzuara vitin që lamë pas”, ka thënë ai.
Muçolli ka thënë se qytetarët e Podujevës janë gënjyer e mashtruar nga udhëheqja komunale.
“Duke pasur parasysh se për mosrealizimin e shumë projekteve pushtetarët arsyetohen duke thënë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm,tani ata po bien në kundërshtim me fjalët e tyre. Derisa siç po shihet ka pasur buxhet të mjaftueshëm, por qytetarët e Komunës sonë janë gënjyer e mashtruar edhe kësaj here”, ka thënë Muçolli.
Edhe Bashkim Syla, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së ka treguar se Komuna e Podujevës nuk ka arritur ta shpenzojë buxhetin.
Ai thotë se ende nuk ka shkruar në Kuvendin Komunal raporti për buxhetin e vitit të kaluar, por ngre dyshime se suficiti do të jetë i lartë.
“Po flitet se i kanë tepruar rreth 2 milionë euro. Ende nuk e kemi parë raportin përfundimtar, por nëse është kështu atëherë ne do të kërkojmë përgjegjësi. Të teprojnë kaq shumë para, në këtë komunë, për neve është mjaft shqetësuese”, ka thënë ai.
FaktePlus për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Podujevës, por zyrtarë të këtij institucion kanë thënë se pa u miratuar raporti nuk mund të flasin rreth shpenzimeve buxhetore.
“Këto janë kritika të opozitës. Ne nuk kemi çka të themi, sepse ende nuk ka ardhur raporti financiar. Ky raport do të publikohet në seancën e radhës së Asamblesë dhe atëherë shihet se si qëndron puna në këtë aspekt”, ka thënë zëdhënësi i komunës, Nazmi Elezi./FaktePlus