Agim Veliu: Nga nesër edhe shkollat serbe mbyllen
Shkollat serbe në Kosovë nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë për mbyllja për shkak të koronavirusit.
Por, që nga nesër edhe në këto shkolla nuk do të ketë mësim. Këtë e bëri të ditur ministri i punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili tha se ka biseduar edhe me ministrin e Listës Serbe për këtë gjë dhe se ka gjetur dakordim.
“Unë sot e kam takuar ministrin Dalibor Jevtiq dhe kam biseduar për zbatimin e vendimit që është marrë dje nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Mendoj se nuk do të ketë nevojë për përdorimin e forcave policore në këto shkolla sepse është dakordim i yni”.
“Po ashtu, kam biseduar edhe me drejtorinë rajonale në pjesën veriore dhe prej nesër shkollat nuk punojnë. Nesër është paraparë që ora e parë t’i kushtohet informatave rreth kësaj sëmundje dhe parandalimit të saj dhe më pas procesi mësimor mbyllet dhe zbatohet vendimit”.
Ndërkaq, MASHTI gjatë ditës u ka bërë thirrje të gjitha drejtorive të arsimit nëpër komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet.