Agim Veliu në Llap: Do të fitojmë për të 16-tën herë
Partitë politike në Podujevë, kanë hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore.
Në mbështetje të kandidatit të tyre Nexhmi Rudarit, krerët më të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Isa Mustafën, ishin në tubimin madhështor.
Ndërsa, qytetarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, me një fjalë rasti, iu drejtua edhe ish-kryetari i tyre, Agim Veliu.
Duke iu uruar mirëseardhje në Llap kryetarit Mustafa, kryeparlamentares Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti e deputetëve e ministrave të LDK-së, Veliu, tha se kalaja e pathyeshme e kësaj partie do ta rikonfirmojë edhe një herë fitoren në Llap, përcjellë Indeksonline.
“Mirë se keni ardhur në këtë tempull të vjetër, që mbanë emrin e themeluesit të LDK-së dhe arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.
Jemi në kalanë e pathyeshme të fitoreve të mëdha të LDK-së, në Llapin e fjalës e besës. Tash kur për pak ditë Llapi do ta festojë 30 vjetorin e themelimit të LDK-së, ne po përgatitemi të festojmë këtë ditë të madhe. Rrethanat e krijuara na imponojnë që të mblidhemi dhe të mobilizohemi për ta rikonfirmuar edhe një herë fitoren tonë të para dy viteve në zgjedhjet lokale.
Marrja e përgjegjësive dhe obligimeve në qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e fundit nacionale, bën që Llapi edhe një herë të dalë, e ta rikonfirmojë LDK-në, mandatin e kryetarit të komunës që do të jetë zotëri Rudari.
Jemi këtu që tash e 20 vite, e bëmë hapin e pathyeshëm, e të pamposhtur, derisa të tjerët nuk reshtën së punuari kundër nesh, por dolën humbës gjithmonë”, tha Veliu.
Ai shtoi tutje se humbësit dolën kokëulur në çdo garë në Llap e pavarësisht kësaj, edhe kësaj radhe radhe të njëjtit po përdorin të njëjtën retorikë e demagogji.
“Edhe kësaj radhe, të njëjtit me moton “Erdhi koha për ndryshim”, po duan ta ndryshojnë një qeverisje të mirë e me duar të pastra, me një qeverisje korruptive e abuzive siç edhe janë dëshmuar në komunat ku kanë qeverisur e vazhdojnë të qeverisin.
Në maje të gjuhës e kanë fjalën “Asgjë nuk është bërë për Podujevën”, mbase edhe kanë të drejtë, sepse kur e thonë këtë, në mendje e kanë faktin se gjatë këtyre viteve sa ka udhëhequr LDK-së, nuk është bërë asgjë nga ato që ata din të bëjnë.
Ndërsa, ata kanë kryetar të dënuar në procese gjyqësore, për keqpërdorim detyre e pasurie publike.
Këtë ndryshime e duan edhe në Llap, por jo, kjo s’mund të ndodhë sepse Llapi do të vazhdojë të qeveriset drejtë e me duar të pastra nga LDK.
Veliu tha LDK në Podujevë do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në vlerat programore të LDK-së.
“LDK udhëhiqet në frymën e respektit të ligjit, që ka për qëllim harmoninë dhe mirëqenien e qytetarit, prandaj LDK do ta vazhdojë këtë program me kryetar, Nexhmi Rudarin.
Më 15 mars, LDK me kandidat Nexhmi Rudarin do të fitojë dhe do të dalim fitues për të 16-tën herë me radhë.
Do të fitojmë kundër atyre që po na sulmojnë, që u aktivizuan për të marrë pushtetin, madje njëra nga partitë, zgjodhi strategji fatale, për ta rrënuar kalanë tonë nga jashtë. Deri dje ishin në djepin djathtist të LDK-së, duke u menduar që u rriten, shkuan në folenë e një subjekti majtist dhe nga aty përpiqen ta baltosin vendin ku u ushqyen”.
Në fund, ish-kryetari i komunës së Podujevës, tani ministër i brendshëm tha se Rugovizmi është këtu në këtë tempull, ndërsa oponentëve politikë do t’ua rikujtojë se LDK-ja vazhdon të mbetet bastion i pathyeshëm.