Agim Ramadani nuk ishte në LDK, por në LKÇK
Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Demiri, thotë se Agim Ramadani nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Demiri, mendon se opinioni është manipuluar në vazhdimësi rreth angazhimit të heroit të kombit në themelimin e partisë që tani udhëhiqet nga Isa Mustafa.
“Agim Ramadani nuk ka qenë në LDK. Agim Ramadani ka qenë anëtar i LKÇK-së, atë e di saktë. Pra në aspekt akademik ka qenë në LKÇK”, u shpreh Demiri në emisionin “Blic InterView”, derisa përmendi edhe takimin e fundit me të “herën e fundit kur jemi pa, ka qenë natën e bombardimeve”.
Po në këtë emision ish-oficeri mohoi ekzistencën e FARK-ut.
“FARK-u në kuptimin e emrit ka qenë paksa imagjinar. Edhe dokumentet janë lëshuar si UÇK. Nuk e di a ka pa ndokush FARK. FARK ka qenë ide e vjetër, e kanë quajtur FARK, por FARK nuk ka pas. Askush nuk ka mbajt shenjë të FARK-ut”, tha ai. /FaktePlus