Abrashi: Zgjedhjet janë të domosdoshm
Deputeti nga Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha se zgjedhjet janë të domosdoshme pas kalimit të krizës së pandemisë dhe se ky opsion do të jetë i vetmi që partia e tij ia prezanton presidentit Hashim Thaçi.
“Takimet e tilla dhe iniciativa e presidentit me partitë nuk gjejnë masë kushtetuese në këtë kohë. Duke pasë parasysh edhe praktikat e mëhershme dhe rastet në të kaluaren dhe duke pasë parasysh edhe nenet e kushteuese ku thuhet se pas mocionit të një qeverie edhe Kuvendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në takimin Kurti-Thaçi, temë ka qenë ritheksimi i kësaj domosdoshmërie”.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosje nuk e deshën punën të vije deri këtu. Nuk deshëm që vendi të shkojë në një situatë emergjente në këtë situatë. Nuk e kuptuam urgjencën se spe duhej të bënte në një situatë të tillë të bëhej rrëzimi i Qeverisë. Në kohën kur qytetarët rrezikohen me jetë na doli sedra e një individi – Agim Veliu – më e rëndësishme se jeta e qytetarëve. Është për keqardhje”.
“Presidenti duhet të shfrytëzojë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe të caktojë datën e zgjedhjeve pas pandemisë. Për shkak të pandemisë duhet të ketë një qeveri kujdestare. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas asnjë opsion tjetër”.
“Ne e dimë që ka përpjekje për uzurpim nga partitë që po i frikësohen Vetëvendosjes dhe rritjes enorme. Por, nuk duhet të jetë frika nga humbja shkas për shkeljen e dispozitave kushtetuese. Duhet të përgatitemi për zgjedhje menjëherë pas pandemisë”.
Deputeti i VV-së tha se qytetarët tashmë janë dëshmitarë të vendosjes së një standardi të vendimeve që shkojnë kryekëput në interes të qytetarëve.
“Këto ditë ishin të mjaftueshme që t’i futet frika partive tjera. Kurti ka treguar shembull për këto 50 ditë. Ishte një shkëndijë e vogël e asaj që do të sillte në të ardhmen”.
Abrashi në Rubikon gjithashtu ka folur edhe për implementimin e reciprocitetit duke e cilësuar si dëshmi që partia e tij e respekton kontratën e bërë me qytetarët.
“Heqja e taksës dhe implementimi i parimit të reciprocitetit ka qenë një premtim i Vetëvendosjes që pavarësisht pengesave që ka pasë gjatë këtyre ditëve është zbatuar. Kjo është dëshmi që kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Vetëvendosja, fjalët e dhëna i kanë kontratë. Kemi vepruar karshi programit tonë qeverisës, premtimeve elektorale dhe karshi vizionit se si e shohim marrëdhëniet ndërshtetërore me një shtet që s’na do të mirën”.
“Ne nuk kemi besuar asnjëherë të politikat tarifore dhe rrjedhimisht nuk ka pasë asnjë obligim që ta respektojmë një vendim që nuk e besojmë. S’ka pasë nevojë të kapitalizohet diçka apo të nxirret një dobi nga heqja e taksës. Heqja e taksës dhe zbatimi i reciprocitetit janë procese mjaft të ndjeshme dhe serioze”.
Për këtë arsye, Abrashi tha se Qeveria Kurti ka bërë analiza profesionale për të gjitha të mirat dhe të këqijat që solli taksa e vendosur nga Qeveria Haradinaj.
“Kurti bashkë me stafin profesional, ekspertë të ndryshëm kanë bërë analiza të detajuara se çfarë efekti ka sjellë taksa, të mirat dhe disavazntazhet e saj. Cilat janë masat që Serbia i përdorë kundër Kosovës dhe barrierat e saj?”.
“Këtu s’kemi të bëjmë me vepra aventuriere kur kjo çështje zgjidhet me një gjë kaq të thjeshtë. Njëherë e votuan 10 për qind, më pas u bë 100 për qind dhe në fund krisi një luftë për të drejtën autoriale dhe në fund u kapitalizua si një program elektoral i një subjekti politik”.
“Besoj që AAK-ja dhe ish-kryeministri nuk e kanë aspak problemin e taksës e asnjëherë nuk e kishin sepse kjo nuk ishte pengesë për një bashkëpunim me partinë që e nisi hapin e mocionit. Një gjuhë komunikimi kaq të mirë me LDK-në që pati prej fillimit një qëndrim anti-taksë dhe një AAK që ka qëndrim pro taksës”.
Abrashi tha se reciprociteti ka filluar gradualisht dhe kështu do të vazhdojë të implementohet.