Abrashi: Kurti e shkarkoi Veliun për ta nënshtruar LDK-në
Arban Abrashi nga LDK ka thënë se shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu, nga kryeministri Albin Kurti, është bërë që të nënshtrohet LDK-ja.
Ai këtë e ka quajtur luftë të brendshme, derisa ka shtuar se Kurti ka pritur një shkas për të prishur marrëveshjen.
“Më shumë është një luftë e brendshme, ideja që ta nënshtrojnë LDK-në sa më shumë dhe mandej e ka zgjedhur një ministër për ta bërë këtë. Mendoj se Kurti e ka pritur një shkas. Ka pasur takime për taksën ku është kërkuar vazhdimisht në javën e kaluar, pastaj në telefon është diskutuar për këtë çështje. Mustafa ka kërkuar që deri të hënën të vendoset për taksen dhe gjatë kësaj periudhe Kurti ka shkaktuar krizë politike sepse e ka ditur që ne do të ngrisim mocion pas shkarkimit”, ka thënë ai.
Abrashi ka shtuar se nuk është dashur të shkaktohet një “aventurë” e tillë, në një kohë kur vendi po përballet me pandemin Covid-19.
“Edhe ne vetë jemi shqetësuar për gjendjen dhe pritjet e pandemisë se si do të reflektojë në Kosovë, pasi i kemi parë pasojat që po i shkakton edhe ne besojmë që nuk na është dashur një aventurë e tillë në këtë kohë, por jemi detyruar të reagojmë në këtë mënyrë pas shkarkimit të Veliut nga kryeministri. Çka e bënë edhe më të dëmshëm këtë vendim të Kurtit, është që pjesë e marrëveshjes është që shkarkimi i ministrave nuk mund të bëhet pa konsultim me partnerin e koalicionit. Probleme ka pasur edhe më herët por ky ishte ‘tip of the iceberg’, tha Abrashi, në Rubikon të KTV-së.
Duke folur për deklaratat e Veliut, Abrashi tha se ministri nuk ka nxitur fare panik dhe se edhe vetë Kurti ka thënë në seancën për votimin e buxhetit disa herë se jemi në gjendje të jashtëzakonshme.
Abrashi shtoi se në demokraci të gjithë mund të shprehin mendimet e tyre.
“Unë e ftoj secilin prej nesh me e nxjerrë atë deklaratë dhe të shohim nëse aty ka panik. Unë mendoj se nuk qëndron, sot po i shohim edhe vetë karantinat. Ne e kemi pas seancën e buxhetit dhe janë 7 ose 8 deklarata duke përfshirë edhe vetë kryeministrin që thotë jemi në situatë të jashtëzakonshme, duhet ta votojmë buxhetin. Njerëzit duhet ta shohin atë deklaratë dhe të thonë se a ka nxitur panik Veliu. E dyta secili ministër ka të drejtë të shprehë mendimin e vetë dhe e treta nuk ka pasur vendim të Qeverisë për këtë çështje.” tha Abrashi,
Ai tutje ka shtuar se është i pajtimit që të merren masa më radikale.
“Edhe unë mendoj që duhet marrë masa më radikale veçanërisht tek çështjet ekonomike kemi me pas probleme me bizneset po hymë në një situatë të rëndë dhe nuk ka qenë koha për këso ekzibicione politike” tha ai./FaktePlus